Behgjet Pacolli në SHBA siguron mbështetje për liberalizimin e vizave

Aktuale September 24, 2018 - 23:47
Lexo detajet

Në New York vijuan takimet e ditës së parë të ministrit të jashtëm dhe zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli  në selinë e OKB-së me homologun e tij finlandez Timo Soini.

”Na ndihmoni për liberalizimin e vizave, sepse rinia e Kosovës e meriton lëvizjen e lirë. Kosova ka përparim në agjendën e liberalizimit”, tha numri dy i qeverisë, Behgjet Pacolli, njofton Klan Kosova.

Homologu i tij finlandez e garantoi Kosovën për mbështetjen e vendit të tij.

Në përgjigje të interesit të Timo Soinit për ecurinë e dialogut me Serbinë, shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli tha ”se dialogu ka hyrë në fazën përfundimtare të tij, pasi dy vendet po dialogojnë prej 20 vjetësh. Në tavolinë ka disa opcione dhe ne po i studiojmë ato, në respekt të plotë të sovranitetit të Kosovës dhe integrimit europian të dy vendeve. Unë personalisht favorizoj një normalizim të mbështetur mbi ekonominë, mbi mirëqenien e qytetarëve”.

”Ne miqtë e Kosovës, duam që në fund të bisedimeve, perspektiva europiane për të dy vendet të jetë e qartë”, tha kryediplomati finlandez Soini, i cili nënvizoi rolin e ish presidentit të vendit të vet, Marti Ahtisaari në themelimin e shtetit të Kosovës.

Ministri Pacolli e informoi bashkëbiseduesin për zhvillimet e tjera në Kosovë, në rajon, dhe po ashtu dhe për ekonominë e vendit.

Ai bëri ftesë ndërmarrësve finlandezë të vijnë në Kosovë për të parë mundësinë e investimit në  bizneset e ndërlidhura me sportet dimërore, ftesë që u vlerësua prej bashkëbiseduesit të tij, njofton Klan Kosova.ë