SHBA rikonfirmon mbështetjen për Kosovën

Aktuale September 24, 2018 - 19:08
Lexo detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë zhvilluar një takim me senatorin amerikan, Ronald Johnson, anëtar i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Në këtë takim Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Senatorin Johnson për progresin e arritur në vend, veçmas në fushën e rendit dhe ligjit dhe përkushtimin e Qeverisë në fuqizimin ndërkombëtar të vendit, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, punën drejt transformimit të FSK-së në Ushtri dhe tema të tjera me interes për vendin", bënt ë ditur një njoftim nga Qeveria.

LEXO EDHE: Haradinaj kërkon votën e Samoa-s për anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare

Sipas zyrës së Haradinajt, ai ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që të forcojë partneritetin bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo fushë me interes për të dyja vendet, duke ritheksuar qëndrimin e Qeverisë për miqësinë e përjetshme me ShBA-të dhe orientimin e pakthyeshëm euro-atlantik"

“ShBA-të ishin krah nesh në secilën etapë të shtetndërtimit tonë dhe orientimi ynë si vend është krah politikave të miqve tanë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

"Nga ana tjetër, Senatori Johnson ka përshëndetur angazhimin e Qeverisë së vendit në tema të ndjeshme për sigurinë dhe ka shprehur gatishmërinë për ta përkrahur vendin në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare", bën të ditur njoftimi.

Pjesë e takimit ishin edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.