PSD: Bartës i procesit të dialogut të jetë Kuvendi, jo Hashim Thaçi

Aktuale September 24, 2018 - 18:12
Lexo detajet

Kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti, bashkë me nënkryetarin Qëndron Kastrati dhe kryetarin e Grupit Parlamentar Dardan Sejdiun; kanë pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, z. Piero Cristoforo Sardi, transmeton “Zeri.info”

Në takim u diskutua për gjendjen politike në Republikën e Kosovës, të fokusuar mbi procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Duke falenderuar shtetin italian për kontributin e tij në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate theksuan domosdoshmërinë për konsensus rreth dialogut. Me këtë rast u rishpreh qëndrimi i PSD-së, se bartës i procesit të dialogut me Serbinë duhet të jetë Kuvendi i Republikës së Kosovës, e jo Presidenti Thaçi dhe ekipi negociues i Qeverisë së Kosovës të cilët nuk kanë legjitimitet për të negociuar.

Drejtuesit e Partisë Socialdemokrate rishprehën nevojën për hartimin e Platformës Shtetërore të Dialogut dhe miratimin e saj përmes shumicës së kualifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si parakusht për themelimin e ekipit gjithëpërfshirës negociues. /ZERI