Medaljet e Thaçit i kushtojnë buxhetit mbi 150 mijë euro

Aktuale September 24, 2018 - 16:37
Lexo detajet

Zyra e Presidentit ka kontraktuar blerjen e medaljeve që shpërndahen nga i pari i vendit në raste të ndryshme.

Medaljet e Presidentit të Kosovës pritet t’i kushtojnë buxhetit të vendit 155 mijë euro apo 5 mijë euro më shumë se parashikimi i kontratës për një periudhë trevjeçare.

Këto medalje, i bie që buxhetit të Kosovës i kushtojnë mesatarisht 141 euro çdo ditë

Në fillim të këtij viti, në platformën elektronike të prokurimit “e-prokurimi” Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës (ZPRK), bëri të ditur se ka nënshkruar kontratë në vlerë 155 mijë euro për t’u furnizuar me medalje.

Në njoftimin e publikuar thuhet se kontrata do të jetë kornizë dhe në kohëzgjatje prej 36 muajve. Për këtë qëllim mjetet janë ndarë nga Buxheti i Kosovës.

Ky tender ishte i mbyllur për konkurrencën pasi ZPRK-ja kishte përdorur procedurën e negociuar të prokurimit pa publikim të njoftimit për kontratë dhe kriter kishte vendosur tenderin ekonomikisht më të favorshëm.

Sipas njoftimit, ZPRK e Kosovës kishte parashikuar kontratë në vlerë prej 150 mijë euro përderisa kontrata në fund rezultoi të jetë më e lartë për 5 mijë euro apo me çmim të përgjithshëm të kontratës 155 mijë euro. /Kallxo.com