SHSKUK kundërshton vendimin për kthimin e Gani Bajraktarit në punë

Aktuale September 24, 2018 - 16:17
Lexo detajet

Inspektorati i punës ka vendosur të kthejë në punë kardiologun që nga SHSKUK akuzohej se i referoi pacientët në spitale private.

Kardiologu Gani Bajraktari muaj më parë ishte suspenduar nga puna për shkak të referimit të një pacienti për diagnostikim në një spital privat.

Me vendim të inspektoriatit të punës, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është i detyruar ta kthejë atë në vendin e punës në afat prej nëntë ditësh.

SHSKUK e kundërshtoi këtë vendim duke bërë ankesë në Trupën Ekzekutive të Inspektoriatit të Punës.

Në ankesën që e ka siguruar KALLXO.com thuhet se Inspektoriati ka konstatuar gabimisht gjendjen faktike në rastin Bajraktari pasi ai sipas SHSKUK-së ka bërë shkelje të rënda duke bërë referim të pacientëve jashtë institucioneve publike.

“Doktor Bajraktari ka vepruar jashtëligjshëm duke e udhëzuar pacientin për ekzaminime jashtë QKUK-së pa u paraqitë rasti në fjalë në mbledhjen e kolegjiumit dhe të mirët mendim konziliar” thuhet në ankesën e SHSKUK-së.

Në ankesë thuhet se doktori ka bërë edhe një shkelje tjetër duke mos ju bindur udhëheqësve të tij.

“Drejtori i Klinikës i drejtohet Bajraktarit që ishtë kujdestar që për pacientin nga Ferizaji të ketë kujdes më të shtuar pasi që gjendja e tij ishte e rëndë mirëpo në këtë rast dr.Bajraktari jo vetëm që nuk i bindet drejtorit të Klinikës por nxit familjarët duke thënë që “pacienti do të vdes pse e keni sjellë këtu këta e mbysin” dhe krijon situata që familjarët ta humbin besimin në profesionalizmin mjekësorë” thuhet në ankesë.

Ankësës i janë bashkangjitur edhe procesverbali nga seanca e komisionit disiplinor dhe njoftimi i ankesës së familjarit të pacientit të referuar për trajtim në institucione private.

Përmes një postimi në Facebook, Bajraktari ka thënë se  ky vendim ka mundur të dëmtojë rëndë shëndetin e pacientëve të tij.

“Më vjen shumë keq që disa prej tyre janë detyruar (për shkak të Vendimit të montuar të suspendimit tim) të vijnë në sektorin privat, duke shpenzuar (pa asnjë arsye) para nga xhepi i tyre i varfës, për teket e urdhërdhënësit të vendimit tashmë të anuluar” është deklaruar