''Nëse Hashim Thaçi qëndron prapa vrasjes së Ahmet Krasniqit, uroj të dënohet''

Aktuale September 23, 2018 - 22:42
Lexoni më shumë detaje

Gjykata Speciale pritet të zbardhë edhe vrasjen e Ahmet Krasniqit. Familjarët e ish-udhëheqësit të FARK-ut konfirmojnë takimet me zyrtarët e Speciales.

Nuk përmendin emra se kush qëndron prapa vrasjes, por thonë se kushdo që ka nxitur dhe kryer krimin duhet merr dënimin e merituar. T7 ka qëndruar sot te vëllai i ish-Ministrit të vrarë para 20 vitesh në Tiranë.

Me rivarrimin e eshtrave të tij, u rihap edhe tema e vrasjes së Ahmet Krasniqit, ish- Ministër i Forcave të Armatosura të Qeverisë në Ekzil.

Edhe pas 20 viteve, familja e Krasniqit, shpreson që vrasja e tij do të zbardhet.

Vëllau i ish-ministrit, Behxhet Krasniqi për T7 konfirmoi se Gjykata Speciale është duke u marrë me këtë vrasje.

Ai tha se familja është kontaktuar nga institucioni që do të merret me zbardhjen e krimeve që kanë ndodhur gjatë viteve 1998-2000.

Asnjë prokuror në Kosovë nuk është marrë me zbardhjen e vrasje së Krasniqit pavarësisht se në këto 20 vjet janë përmendur disa emra të mundshëm si të përfshirë në vrasje.

E në ditën e rivarrimit të eshtrave të Ahmet Krasniqit në Prishtinë doli Gani Geci me akuza se Presidenti aktual, Hashim Thaçi, kishte dhënë urdhër për vrasjen e Krasniqit.

Vëllai i Ahmet Krasniqit thotë se nëse Thaçi qëndron prapa vrasjes së kolonelit duhet ta marrë dënimin e merituar.

Sipas familjes Krasniqi, motivet e vrasjes duhet të zbulohen pasi që sipas tyre, i rëndësishëm është shtisi, e jo dorasi. Drejtojnë gishtin edhe kah ish-Shefi i SHIK’ut të Shqipërisë, Fatos Klosi, se mund të ketë gisht në vrasje.

Behxhet Krasniqi, thotë se i bën thirrje Presidentit që të ndajë informatat që i ka për këtë vrasje, për shkak se sidoqoftë motivet e saj do të zbulohen.

Ahmet Krasniqi ishte udhëheqës i Ministrisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Para se të vritej, Ahmet Krasniqi ishte çarmatosur dhe i ishin konfiskuar disa armë nga institucionet e sigurisë së Shqipërisë. Në kohën e vrasje së Krasniqit në pushtet në Shqipëri ishte PS’ja, ndërsa Shef i SHIK’ut, Fatos Klosi, tash veteran i UÇK’së.

Ish-Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë në Ekzil, Ahmet Krasniqi është ekzekutuar më 21 shtator 1998 në Tiranë, në moshën 50-vjeçare. Trupi i tij ishte varrosur fillimisht në varrezat e Sharrës, shumë pranë mikut të tij Azem Hajdari.