Hoti: Dialogun duhet ta udhëheqë një qeveri e fuqishme

Aktuale September 23, 2018 - 17:31
Lexoni më shumë detaje

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të udhëhiqet nga një qeveri siç e quajti ai, të pakicës, e që sipas Hotit, po diktohet në veprime nga vullneti i partnerëve të vegjël të cilët e mbajnë në këmbë, raporton “Zeri.info”.

Hoti përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se vetëm zgjedhjet e lira mund të prodhojnë qeveri stabile, transmeton “Zeri.info”.

“Udhëheqjen e dialogut duhet ta marrë përsipër një qeveri e fuqishme me bazë të gjerë, bazuar në mandat të qartë nga Kuvendi i Kosovës. Kjo mund të arrihet vetëm pas zgjedhjeve të lira, të cilat do të prodhojnë një qeveri stabile. Në qeverinë e ardhshme, të udhëhequr nga LDK-ja, ne do të punojmë sado që është e nevojshme me të gjitha forcat politike për të arritur konsensus për dialogun. Sepse ky proces nuk i takon vetëm një partie apo vetëm qeverisë”, ka shkruar ndër të tjerash Hoti, përcjell “Zeri.info”.

Postimi i plotë i Hotit pa ndërhyrje:

Dialogu mund të udhëhiqet vetëm nga institucione përfaqësuese dhe legjitime, që flasin në emër të shumicës së qytetarëve të Kosovës. Dialogu nuk mund të udhëhiqet nga një qeveri e pakicës, që diktohet në veprime nga vullneti i partnerëve të vegjël të cilët e mbajnë në këmbë.

Kryeministri nuk ka asnjë fuqi politike për të udhëhequr këtë proces, e as fuqi për të deleguar këtë autoritet tek dikush tjetër. Është e qartë se ai mund të flasë vetëm në emrin e partisë së tij, por jo në emër të Qeverisë, e cila është copëtuar në zona të interesit.

Udhëheqjen e dialogut duhet ta marrë përsipër një qeveri e fuqishme me bazë të gjerë, bazuar në mandat të qartë nga Kuvendi i Kosovës. Kjo mund të arrihet vetëm pas zgjedhjeve të lira, të cilat do të prodhojnë një qeveri stabile.

Në qeverinë e ardhshme, të udhëhequr nga LDK-ja, ne do të punojmë sado që është e nevojshme me të gjitha forcat politike për të arritur konsensus për dialogun. Sepse ky proces nuk i takon vetëm një partie apo vetëm qeverisë.