Aktuale

Delegacioni nga Velberti i Gjermanisë po qëndron për vizitë në Podujevë

Delegacioni nga Velberti i Gjermanisë po qëndron për vizitë në Podujevë
23 shtator 2018 • 11 : 32

Lexo detajet

Një delegacion nga qyteti Velbert i Gjermanisë po qëndron në një vizitë treditore në Podujevë.

Vizita po realizohet në kuadër të bashkëpunimit mes dy komunave me qëllim të finalizimit të procesit të binjakëzimit të dy qyteteve.

Delegacioni gjerman ka arritur të premten në Podujevë, ku është pritur nga Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe anëtarë të ekzekutivit të Komunës.

Delegacionit të Velbertit i prinë Burghardt Fülling – përfaqësues politik i qytetit të Velbertit (CDU) e ku janë edhe Babete Lange – përfaqësues për arsim dhe rini, Andreas Brembeck – përfaqësuese për sport, Rainer Jadjewski – përfaqësues i institucioneve të përkujdesjes sociale, si dhe Rrahman Islami – Kryetar i Shoqatës të miqësisë Velbert – Podujevë dhe Dr. Paul -Jurgen Stei – nënkryetar i kësaj shoqate dhe humanist.

Kryetari Veliu tha se vizita e delegacionit të qytetit gjerman Velbert do t’i paraprijë procesit final të binjakëzimit të dy qyteteve tona.

”Delegacioni ka në përbërje përgjegjës nga fusha, në të cilat do të shtrihet bashkëpunimi ynë në të ardhmen”, tha kryetari Veliu.

Në takim me mysafirët nga qyteti gjerman, kryetari Veliu ka prezantuar profilin e Komunës së Podujevës me të gjitha specifikat, përparësitë dhe mundësitë që ofron Podujeva për bashkëpunim në të ardhmen.

Në ditën e parë të qëndrimit në Podujevë, delegacioni nga qyteti gjerman vizitoi Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, Stadiumin ”Zahir Pajaziti”, ku takuan udhëheqjen e FC Llapi, trajnerin dhe futbollistët.

Me këtë rast përfaqësuesit e sportit të Velbertit u shprehën për  krijimin e bashkëpunimit mes FC Llapi dhe klubeve të këtij qyteti.

Ata qëndruam për disa çaste edhe me të rinjtë pjesëmarrës në kampin e organizuar nga Qendra Rinore, i cili po mbahet në Orllan.

Po ashtu vizitoi Klubin e notit në Shkollën “Zenit” si dhe Shoqatën “Handikos” në Podujevë.

Gjatë qëndrimit në Podujevë delegacioni nga Velberti do të vazhdojë me vizita edhe fermerëve dhe biznese të ndryshme, thuhet në komunikatë.

© zëri.info