Haxhiu: Thaçi dëshiron ta ndajë Kosovën dhe Luginën

Aktuale September 22, 2018 - 18:06
Lexo detajet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, fton të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkëngjiten protestës së tyre më 29 shtator të këtij viti, siç ka thënë ajo, për ta parandaluar iniciativën e fundit të presidentit Hashim Thaçi për ndarjen e vendit, shkruan "Zëri.info".

Haxhiu gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka vlerësuar se kreu i shtetit kurrë s’ka qenë në situatë më të vështirë politike sesa që është tash që nga fillimi i karrierës së tij politike. 

Zëri: A e përkrahni idenë që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës dhe çka nëse kjo e fundit ndërrohet me veriun e Kosovës?

Haxhiu: Ne si Vetëvendosje kundërshtojmë idenë e shkëmbimit territorial, madje për neve është e papranueshme që kjo temë të normalizohet në Republikën e Kosovës. Thaçi ka bërë gabim që e ka normalizuar “shkëmbimin” si koncept, kjo është e papranueshme për ne. Ne kemi pasur edhe shumë paraqitje të tjera publike, por edhe në Kuvend disa herë e kemi ngritur çështjen e qytetarëve ose të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, në Medvegjë e në Bujanoc dhe pat pasur edhe një rezolutë të Kuvendit, e cila ndër të tjera ka kërkuar edhe reciprocitet politik, që nënkupton reciprocitet të të drejtave ndërmjet serbëve që jetojnë në Kosovë me shqiptarët që jetojnë në Kosovën Lindore.

Por edhe pavarësisht faktit që ajo rezolutë pati kaluar, ka qenë pikërisht Hashim Thaçi në atë kohë që e pati rrëzuar me një kundërrezolutë tjetër dhe është ky person që asnjëherë nuk e ka ngritur çështjen e Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë, ndonëse në vazhdimësi është premtuar që do të flitet për të drejtat e tyre atje dhe tani del dhe mashtron edhe Kosovën Lindore. Flet për bashkim të Luginës kur qëllimin e ka të bëjë “shkëmbim territorial”, ta ndajë edhe Kosovën, edhe Kosovën Lindore. Ne jemi të respektohet integriteti territorial i Kosovës, sovraniteti i saj dhe po ashtu ne respektojmë dhe mbështesin Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 të Kosovës Lindore.