Miftaraj: Nëse Kushtetuesja ndikohet nga Thaçi hyn në lojë edhe Specialja

Aktuale September 22, 2018 - 14:06
Lexo tjera detaje

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë për “Zërin” që Kushtetuta aktuale e qartëson saktësisht pozitën e Kuvendit në raport me marrëveshjet ndërkombëtare. “Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë lidhur me kompetencat e Kuvendit në raport me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare lidhur me çështje që ndërlidhen me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake,  të drejtat dhe liritë themelore, anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.                                                                                                             

Mirëpo, sipas tij, duke e pasur parasysh punën e deritanishme të Kushtetueses mund të ndodhë që ajo të vendosë në favor të kërkesës së presidentit Thaçi.

“Edhe pavarësisht faktit se sipas Kushtetutës këto kompetenca i takojnë Kuvendit të Kosovës, fatkeqësisht me Gjykatën Kushtuese aktuale nuk mund të përjashtohet mundësia që e njëjta Kushtetutë të interpretohet në atë mënyrë që këto kompetenca t’i delegohen presidentit të Republikës, gjithmonë duke u bazuar në praktikën e ndërtuar nga kjo gjykatë në raste të mëhershme”, ka thënë ai, shkruan Gazeta "Zëri".                                                                                                  

Miftaraj thotë se nëse një gjë e tillë do të ndodhte nuk do të hynte në lojë vetëm procesi i dialogut, por edhe procese të tjera si Gjykata Speciale.                                                              

E njohësi i çështjeve kushtetuese, Ditar Kabashi, ka thënë për “Zërin” që presidenti i vendit jo vetëm që nuk është i autorizuar ta anashkalojë Kuvendin, por ai as që mund të jetë faktor në bisedime pa e marrë autorizimin nga legjislativi, i cili rezervon mandat kushtetues për këtë./ZËRI