Jerusalem Post citon deklaratën e Thaçit: Nëse Izraeli njeh pavarësinë, Kosova e gatshme të hapë ambasadën në Jerusalem

Aktuale September 21, 2018 - 17:31
Lexo tjera detaje

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se Kosova kurrë nuk do të votojë kundër interesave të SHBA.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se nëse Izraeli e njeh Kosovën, shteti i tij do të hapte një ambasadë në Jeruzalem.

Jerusalem Post shkruan se Republika e Kosovës në vitin 2008, në mënyrë të njëanshme e ka shpallur pavarësinë nga Serbia.

Me një popullsi shumicë të përkatësisë myslimane dhe etnike shqiptare, Kosova mbetet subjekt i mosmarrëveshjes territoriale midis dy vendeve.

Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Presidenti i Kosovës Thaçi ishte pjesë e negociatave, shton më tej media izraelite, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, Izraeli ende nuk e ka njohur Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran.

Shteti hebraik ka lidhje kulturore dhe tregtare me Kosovën, por ai ende nuk është i gatshëm ta njeh Kosovën, duke e konsideruar si veprim të njëanshëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe 23 nga 28 shtetet anëtare të BE kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nëse Kosova do të njihej nga Izraeli, do të hapja ambasadën e Kosovës në Jeruzalem”, deklaroi mbrëmë Thaçi në televizionin shqiptar Vizion Plus.

Presidenti i Kosovës në lidhje me vendimin e Presidentit Trump për të transferuar ambasadën amerikane në Jerusalem, tha se Kosova kurrë nuk do të votonte kundër interesave të SHBA-së.

“Lidhjet e Republikës së Kosovës me SHBA-në janë të shkëlqyeshme, u takova me Presidentin Trump dhe qasja e tij ndaj nesh është e njëjtë me atë të presidentit të mëparshëm”, ka thënë më tej Thaçi.