"Ngritja e aktakuzave nga Specialja u vonua për shkak të bisedimeve Kosovë-Serbi"

Aktuale September 21, 2018 - 10:04
Lexoni më shumë detaje

Kosova po kërkon garanci për amnestimin e të akuzuarve eventualë nga Specialja si kusht për bisedimet me Serbinë, shkruan gazeta beorgradase “Blic”

Akuza nga Gjykata Speciale e Kosovës nuk do të ngritën për së paku edhe një vit, përkatësisht deri sa të përfundojnë bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, shkruar sot gazeta beogradase “Blic”.

“Nuk do të ketë farë akuza së paku edhe një vit, përkatësisht deri sa të përfundojnë bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës në Bruksel”, i ka thënë gazetës një burim anonim i afër me pushtetin e Prishtinës.

Sipas gazetës, vetë formimi i Gjykatës speciale “për krimet e UÇK-së” ka shkaktuar shqetësime dhe thekson se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tash e një kohë të gjatë numërohet si njëri ndër të akuzuarit e sigurt të kësaj gjykate.

Mirëpo, sipas gazetës, duke pasur parasysh se Thaçi ka funksion të lartë politik, është pak e besueshme se ai, apo kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli “do të nxirren para drejtësisë”.

Gazeta citon avokatin serb Nebojsa Vlajic, i cili do t’i përfaqësojë viktimat e “krimeve të UÇK-së” të ketë thënë se po ashtu nuk pret fillim të shpejtë të gjykimeve.

“Shqiptarët negociatat e Prishtinës e Beogradit i kanë ndërlidhur me punën e gjykatës për krime të UÇK-së. Për ta gjykimi i pjesëtarëve të UÇK-së është shumë i rëndësishëm, prandaj po tentojnë që përfundimin e bisedimeve me Beogradin në Bruksel ta kushtëzojnë me një lloj garancie se do të amnistohen apo të dënohen pak për krimet në Kosovë”, ka thënë Vlajic.

Analisti politik Dusan Janjic i ka thënë gazetës se procesi i Brukselit dhe Gjykata speciale do të duhej të jenë të pavarur nga njëri tjetri, por megjithatë janë në korelacion.

“Pres që për këtë shkak gjykata së pari do të fillojë me lëndë më të vogla për krime ndërmjet shqiptarëve të cilat nuk do të zgjojnë vëmendje të madhe mediale, ndërsa vetëm kah fundi i 2019-tës do të fillojnë dy procese të mëdha, dhe atë përsëri të balancuara: kundër tregtisë me organe, por edhe kundër grupit gjakovar të funksionerëve të lartë të Ushtrisë së Serbisë”, thotë Janjic./gazetametro