Rama: Ndryshime i kufijve është instrument e jo qëllim

Aktuale September 20, 2018 - 23:03
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka bërë të ditur se ndryshimi i mundshëm i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është instrument dhe jo qëllim, ndërkaq pë arritjen e marrëveshjes potenciale mes Kosovës dhe Serbisë tha të jetë moment historik që shqiptarët mund ta humbasin në rast të sjelljeve amatoreske.

“Unë jam shumë i qartë që ne jemi përpara një shansi historik dhe kemi shumë më tepër gjasë ta humbasim se sa ta fitojmë nëse vazhdojmë të sillemi si amatorë”, tha Rama në Opinion të TV Klan.

“Por unë nuk jam as president i Kosovës, as kryeministër i Kosovës. Të them të drejtën s’e kam zili fare pozicionin nëpër të cilin ndodhet presidenti i Kosovës, sepse përtej gjithçkaje që mund të kritikohet, çështja nuk është çështje që duhet të definohet në bazë të simpative apo antipative për të”.

“Është çështje që duhet të definohen në bazë të dashurisë sonë për atdheun e përbashkët të shqiponjave që është atdheu i shqiptarëve qoftë nga Labëria, qofshin nga Kosova”.

Rama u bëri thirrje vendimmarrësve shqiptarë që të bashkohen përtej inateve të ndërsjella për të kapur një moment të cilin ai këmbënguli të jetë historik.

“Ndryshimi i kufijve nuk është qëllim, është instrument. Dhe nuk mund të thuash dot a je për të përdorur thikën nëse nuk më thua për çfarë qëllimi? Për të shëruar apo për të vrarë? Sepse thika edhe vret, edhe shëron. Sepse këtu është pika ku vendimmarrësit shqiptarë duhet të mblidhen dhe ku presidenti i Kosovës duhet të hapë rrethin e tij përtej rrethit të inateve dhe të klubit të Selanikut të shqiptarëve. Me diasporën, me njerëz që vijnë nga bota e dijes historike”.