Thaçi: Do ta jetësojmë vullnetin e shqiptarëve në Luginë për bashkim me Kosovën

Aktuale September 20, 2018 - 21:12
Lexo detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në një debat me Sokol Ballën dhe analistët në emisionin “Real Story” të Vizion Plusit.

Presidenti Thaçi ka thënë se tani jemi në një fazë të status quo-së, edhe në rrafshin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar dhe Kosova ka nevojë për një lëvizje më të shpejt, më substanciale, në veçanti atë të konsolidimit në rrafshin ndërkombëtar, për t’u reflektuar dhe në aspektin e brendshëm.

 

Ai ka thënë se e gjithë bota e di se problematika Kosovë-Serbi është e mbyllur në kuptimin e luftës, por si konflikt i ngrirë ekziston dhe nuk është e mjaftueshme, për bindjen time, që në Kosovë të jemi vetëm të lirë dhe të pavarur.

“Ne mund ta përmbyllim misionin tonë kur ta jetësojmë edhe objektivin tonë të tretë. Pra, lirinë e kemi fituar, pavarësinë e kemi, por tani duhet ta anëtarësojmë vendin në NATO dhe në BE. Prandaj, mendoj se një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton njohjen reciproke është e domosdoshme. Si mund të ndodhë njohja reciproke? Unë nuk besoj se ndonjë lider në Beograd një ditë do të zgjohet në mëngjes dhe do të njohë pavarësinë e Kosovës, por kjo mund të arrihet përmes negociatave serioze, përmes dialogut serioz, përmes një procesi natyrisht të ndjeshëm dhe një kompromisi që do të mund të çonte të dy vendet drejt një situate win-win, që nënkupton njohjen reciproke”, ka thënë ai.

 

Thaçi ka thënë se ata që mendojnë se nuk është koha për dialog, nuk është koha për negociata, nuk është koha për marrëveshje, po gabojnë dhe sa më shumë që shtyhet kjo marrëveshje, aq më i lartë do të jetë çmimi për ne.


“Pse korrigjim i kufijve? Në takimin që kam zhvilluar me liderët politikë të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit më është theksuar domosdoshmëria e respektimit të referendumit të qytetarëve të këtyre komunave, të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992, dhe diçka e tillë ka ndodhur më herët. I kam takuar këta liderë në zyrën time dhe ata kanë shprehur në mënyrë unike e unanime një dëshirë të tillë, një nevojë të tillë dhe një të drejtë të tillë. Kam kërkuar prej tyre se, nëse ata janë serioz në kërkesën e tyre, ta institucionalizojnë këtë kërkesë tek institucionet e Republikës së Kosovës. Një të drejtë të tillë e mbështes fuqishëm, jo vetëm sonte, por ka kohë që e kam deklaruar dhe e deklaroj çdo ditë, do ta deklaroj edhe më tej dhe kam bindjen se do ta jetësojë”, ka thënë Thaçi.

 

Presidenti i vendit ka thënë se shpreson se gjatë negociatave, që nuk do të jenë fare të lehta, do të gjejmë një mundësi, do të gjendet një zgjidhje dhe një variant që do të jetë i pranueshëm edhe për autoritetet në Beograd, që vullneti i qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc të jetësohet dhe kjo pjesë t’i bashkëngjitet Republikës së Kosovës.

 

“Unë si President i Republikës së Kosovës jam kundër ndarjes së Kosovës, jam kundër krijimit të asociacionit me elemente ekzekutive, apo të krijimit të një “Ahtisaari +” siç po theksojnë disa, sepse një gjë e tillë do të nënkuptonte një “Republika Srpska”, që do të nënkuptonte defunksionalizimin e shtetit të Kosovës, por gjithashtu jam edhe kundër shkëmbimit të territoreve. Tani, se kush kërkon dhe çfarë kërkon, unë nuk flas në emër të askujt tjetër, flas vetëm në emrin tim dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ndokush mendon se ka qenë një deklaratë e nxituar, spontane, e pamenduar. Unë e them lirisht: ka qenë një deklaratë e mirëmenduar, shumë mirë e studiuar, shumë e analizuar dhe qëndrim i Presidentit të Kosovës, por mund të them edhe i shumicës së politikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, çdo proces i vështirë natyrisht që ngërthen në vete një shkundje në opinionin publik, shkundje që për mendimin e tij është e shëndetshme. Por, Thaçi ka thënë se ka pritur më tepër kundër-reagime racionale të bazuara në fakte, jo në mllef, jo në urrejtje, jo në shpifje, jo në denigrime, jo në fyerje. Megjithatë, sipas tij, me kalimin e kohës edhe debati po kanalizohet në rrugë të drejtë.

Thaçi: Edhe Sllovakia, Çekia, Holanda e Belgjika i kanë korrigjuar kufijtë

(I plotësuar) - Presidenti Thaçi ka thënë se po vepron dhe është në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë.

“Është jashtëzakonisht inkurajues qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që na ka krijuar aftësinë për të diskutuar për korrigjimin e kufijve, siç është inkurajues edhe mesazhi mbështetës i z. Bolton. E di se ka pasur opinione të ndryshme, se ai është një qëndrim personal i z. Bolton, por ajo që mund t’ju them është se tani qëndrimi është i qartë, edhe i SHBA-së edhe i BE-së, por edhe i Parlamentit Evropian, që të shtyhet ky proces përpara dhe të krijohen mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, duke përfshirë edhe korrigjimin e kufijve. Ky është një rast, një shans, të cilin duhet ta shfrytëzojmë. Jo çdoherë Uashingtoni, Bashkimi Evropian janë të fokusuar për Kosovën, për Serbinë apo për Ballkanin. Përfundimisht mendoj se nëse arrijmë marrëveshje, atëherë do të hapet një perspektivë e jashtëzakonshme për Kosovën, por natyrisht se do të hapet perspektiva evropiane edhe për Serbinë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka thënë se po ekzagjerohen situata krejtësisht të paqena dhe pretendohet të fiksohen disa gjëra që nuk qëndrojnë për rajonin.

“Ne e mbështesim Maqedoninë për në NATO, por është inkurajuese edhe mbështetja e Maqedonisë për procesin e negociatave dhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ka pasur zhurma të ndryshme dhe sa i përket marrëveshjes Maqedoni-Greqi. Liderët duhet që, përkundër disa opinioneve të ndryshme reaguese, të dalin në interes të vendit për të arritur marrëveshje. Sikur të pyetej e gjithë bota greke apo ajo maqedone, kurrë nuk do të arrihej marrëveshja Maqedoni-Greqi. Por, dy liderët morën një vendim historik dhe të rëndësishëm, në veçanti për Maqedoninë”, ka thënë Thaçi.

Kurse, analisti Arjan Vasjari ka thënë se teza e korrigjimit të kufijve është një tezë autentike serbe që nga Qosiq. Por, presidentit Thaçi ka thënë se nuk mund të thuhet që bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është një ide serbe.

“Ju drejtohem edhe si mik, ma gjeni vetëm në një vend të shkruar prej ideologëve serbë për ndarjen e Kosovës, që e kanë pasur e që përmendet dikund korrigjimi i kufirit”, i është kundërpërgjigjur Thaçi atij.

Vasjari ka shtuar se koncepti “korrigjim kufijsh” lidhet tipikisht me organizimet politike të konsoliduara, që do të thotë shtetet, por për Serbinë, Kosova ende nuk është shtet.

“Qosiq dhe Daçiq kanë folur gjithnjë për ndarje. Bëje dallimin mes ndarjes në njërën anë, ndaj së cilës jam kategorikisht kundër dhe që nuk e kam lejuar kurrë, dhe korrigjimit të kufirit në anën tjetër. E di se ideja ime për korrigjimin e kufirit nuk është ide shumë populiste. Por, ajo është e qartë: në procesin e negociatave do të përfshihet dhe korrigjimi i kufirit, që Lugina e Preshevës, pra Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të përfshihen në territorin e Kosovës. Kjo është e tëra për sa i përket idesë sime. Kush flet për ndarje, shkëmbim, “Repubika Srpska”, ato janë ide serbe. Ato janë ide të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Ato janë ide të shtetit dhe Qeverisë së Serbisë. Unë nuk barti ide serbe, as në Shqipëri as në Kosovë. Unë barti dhe përfaqësoj vetëm interesin e qytetarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës. Kush dëshiron të flas për ndarje, nuk ulet me mua në tavolinë. Kush dëshiron të flas për Asociacion apo Ahtisaari +, nuk ulet me mua në tavolinë. Prandaj, unë jam për korrigjim historik, se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet të jenë me Kosovën. Kaq. Unë besoj se do të bind edhe faktorin ndërkombëtar të mbështesë këtë projekt. Ne në tavolinë me Serbinë ulemi si dy vende të barabarta”, i është përgjigjur Thaçi, duke shtuar se korrigjime kanë ndodhur dhe nuk do të ndodhin për herë të parë në botë në rastin e Kosovës dhe Serbisë.

“Korrigjimi ka ndodhur edhe në Sllovaki dhe në Republikën Çeke. Ka ndodhur edhe në Holandë e Belgjikë, dy vjet më parë”, ka thënë Thaçi, sipas të të cilit, Serbia nuk e njeh Kosovën pa dialog, pa negociata dhe pa marrëveshje.

Kushdo që mendon se vetëm Serbia fiton nga dialogu, kjo është më tepër se naive sipas presidentit Thaçi, madje është edhe e rrezikshme, sepse përhap dezinformatë dhe opinion të rremë tek njerëzit.

“I besoj këtij procesi, i besoj korrigjimit të kufirit dhe pothuajse jam i bindur se do të ndodhë, pavarësisht zërave të shkëputur dhe të izoluar, nëse SHBA dhe BE vazhdojnë të jenë unik në këtë qëndrim dhe natyrisht, nëse shkon sipas planit. Në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, në asnjë kohë dhe në asnjë formë, as Ujmani, as veriu i Mitrovicës dhe as Trepça, në asnjë rrethanë nuk do të kontestohen, në kuptimin se a janë apo nuk janë të Kosovës. Të gjitha këto janë dezinformata. Ato janë asete të Kosovës, janë territor i Kosovës, por Presheva, Medvegja e Bujanoci do t’i bashkohen Kosovës. Ky është qëndrimi im. Kush flet për ndarje të mos flas me mua, janë ide të rreme. Kush flet për shkëmbim, të mos flas për Hashim Thaçin. Janë ide të njerëzve të rrejshëm për të krijuar konfuzion në opinionin publik, në Kosovë edhe në Shqipëri”, ka thënë Thaçi.