Heiko Mass: Pajtimi, jo lëvizja e kufijve është zgjidhje për Kosovën

Aktuale September 20, 2018 - 19:42
Lexo detajet

Ministri gjerman ka thënë se mendon se “zgjidhja e vetme e duhur që kjo të ndodhë është toleranca më e madhe dhe pranimi i dallimeve. Përkundrazi, unë besoj se përpjekja për të hequr këtë diversitet duke lëvizur kufijtë është e rrezikshme”

Ministri gjerman i punëve të jashtme, i cili të merkurën e ka vizituar Tiranën ndërsa sot Athinën, në një intervistë për “Katimerini”-n grek ka shprehur shqetësim për bisedimet ndërmjet Serbisë e Kosovës, duke thënë se tentimi për “evitimin e dallimeve me lëvizjen e linjave kufitare është i rrezikshëm”, transmeton gazetametro.net.

Mass e ka thënë këtë duke u përgjigjur në pyetjen e botimit të sotshëm të gazetës athiniane për atë se si Gjermaia, e cila është përkrahëse e zjarrtë e marrëveshjes së Greqisë e Maqedonisë mbi zgjidhjen e konfliktit rreth emërtimit, duke konsideruar me këtë rast se ajo marrëveshje i kontribuon stabilizimit të Ballkanit, i sheh në këtë kontekst bisedimet e Serbisë e Kosovës.

“Kam qenë shumë i impresionuar me atë se me sa durim e qëndrueshmëri Athina e Shkupi kanë përpunuar zgjidhjen. Nëse ajo marrëveshje realizohet… ky do të jetë sukses i të gjithë atyre të cilët besojnë në fuqinë e diplomacisë e pajtimit. Ndërsa, ndërmjet Kosovës e Serbisë nevojitet pajtim i sinqertë”, ka thënë Mass.

Ministri gjerman ka thënë se mendon se “zgjidhja e vetme e duhur që kjo të ndodhë është toleranca më e madhe dhe pranimi i dallimeve. Përkundrazi, unë besoj se përpjekja për të hequr këtë diversitet duke lëvizur kufijtë është e rrezikshme.”

Në pyetjen e frikës nga ndikimi i Rusisë në kohën e përgatitjes së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, Mass ka thënë se “ideja evropiane nuk është në përcaktimin e sferave të ndikimit”, por që “Unioni të bazohet në themelet e parimeve të lirisë, demokracisë e solidaritetit”.

Zgjerimi i BE-së në lindje bëhet, ka thënë Mass, “sepse popujt në ato vende kërkojnë mu këto parime dhe se në mënyrë demokratike kanë vendosur të kërkojnë këtë. E njëjta gjë është me popujt në Ballkanin Perëndimor. të cilet gati tash e dy decenie janë të lidhur me Evropën”.

“U mbetet qeverive ta përmbushin këtë ëndërr dhe me kurajo t’i zbatojnë reformat e duhura, me theks në qeverisjen e mirë, demokraci e pushtet të drejtësië”, ka thënë ministri gjerman.

Në pyetjen mbi politikën “Së pari Amerika”, Mass është përgjigjur se “përgjigja jonë (e BE-së) në “Së pari Amerika”, apo madje edhe në “Së pari Rusia” apo “Së pari Kina” mund të jetë vetëm: “Evropa e Bashkuar”.

“Nëse ne, si Bashkim Evropian duam të jemi të fortë e të fuqishëm në politikën botërore, këtë mund të arrijmë vetëm bashkërisht, As Gjermania nuk mundet t’ia imponojë botës mendimin e saj, as Greqia. Edhe njëri edhe tjetri individualisht jemi të vegjël për këtë”, ka thënë Mass.