Paralajmërohen masa ndaj mjekëve që mungojnë gjatë kujdestarisë në QKUK

Aktuale September 19, 2018 - 16:25
Lexo detajet
Image

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), së fundmi ka suspenduar pesë mjekë në Klinikën Emergjente pasi që të njëjtit gjatë orarit të kujdestarisë nuk janë gjendur në orarin e punës. Lidhur me këtë gjë drejtori i SHSKUK-së përmes një konference për media ka thënë se vendimi është bërë konform ligjit dhe pa asnjë prapavijë personale apo politike, raporton "Zeri.info".

“Suspendimet që kanë ndodhur nuk kanë ndodhur si tentim për të dëmtuar individin. Nëse merren masa ndaj dikujt nuk do të thotë që janë masa individuale e as politike  dhe as të qëllimshme e tendencioze. Jo si institucion por unë si drejtor me organet tjera kompetente gjithmonë marr vendim konform legjislaturës në fuqi” , ka thënë Sejdiu.

Tutje Sejdiu ka thënë se mjekët kujdestar në Klinikën Emergjente duhet që ta dallojnë orarin e rregullt të punës nga ai i kujdestarisë.

“Rastet e fundit të suspendimit kanë ndodhur edhe për shkak të mungesave në vend të punës gjatë kujdestarive. Duhet dalluar orari i rregullt i punës ndaj atij të kujdestarive. Nëse dikush në orar të rregullt të punës mund të mungoj, mund të i hiqet mëditja mirëpo në kujdestari mjeku i cili është i përcaktuar, çdo mungesë e tij qoftë 10 minuta apo me orë të tëra të mos jetë afër pacientit na ngarkon ne si institucion dhe kemi përgjegjësi gjithmonë para pacientit”, ka thënë tutje ai, duke shtuar se “Krejt kjo është bërë që të vetëdijesohen dhe të fitojnë kulturë punë dhe çdo mjekë ta dijë që çdo mungesë në orarin e punës qoftë edhe për një minutë është e patolerueshme”.

LEXO EDHE: Mjekët në Emërgjencën e QKUK-së janë suspenduar sipas ligjit, deri në 1 orë kanë lënë 30 pacient pa shërbime

Lidhur me çështjen e pesë mjekëve të suspenduar në këtë klinikë Sejdiu tha që ka pasur arsyetime të ndryshme. Sipas tij ky institucion nuk varet nga asnjë individë.

“Arsyetimi se dikush është profesionist i madh dhe do të mbetet keq institucioni atëherë them se profesionalizimi është gjithmonë i mirëseardhur por nuk varemi asnjëherë nga individë, sepse nëse varet nga individi atëherë ai nuk do të jetë institucion dhe nëse dikush e arsyeton mungesën në kohën e kujdestarisë ajo nuk do koment”, ka shtuar ai.

E për gjendjen në  përgjithësi në SHSKUK, Sejdiu deklaroi se janë duke u munduar që ta përmisojnë gjendjen aktuale përmes veprimeve të ndryshme, duke u munduar kështu që të krijojnë siguri për qytetarët, raporton tutje "Zeri.info". 

“Jemi duke u munduar maksimalisht që gjendja në shëndetësi të përmisohet të mos jetë një temë për të keq por të reflektojë me punë dhe në qendër të jetë pacienti me një siguri më të madhe, me marrje të shërbimeve shëndetësore sa më cilësore.  Njëkohësisht edhe stafi që ofron shërbime shëndetësore duke përfshirë mjekë dhe infermier të jetë në nivel të detyrës në çdo kohë, të ofrojë shërbime sa më cilësore dhe krejt kjo bëhet për shërbime sa më cilësore dhe për sigurinë e pacientit”, ka thënë ai.

Ndërsa për punën e stafit ai ka thënë që vazhdimisht janë duke i motivuar ata si dhe ka premtuar që shumë shpejt me ligjin për paga do të ketë rritje të pagës për mjekët.

“Për ta motivuar stafin ka qenë rritja e pagës për ata që kujdestarojnë të shtunën paga është 170 euro, ka premtime shumë që me ligjin e pagës të ketë edhe rritje të pagës dhe kjo do të jetë një motivim shumë më i madh për stafin që ofrojnë shërbime”, ka përfunduar ai. /ZERI