Shpend Ahmeti e çon komunën në deti

Aktuale September 19, 2018 - 14:34
Lexo tjera detaje

Qindra shërbyes civilë të Komunës së Prishtinës këtë vikend do t’ia mësyjnë bregdetit shqiptar në Durrës.

Ata do të akomodohen në hotelin “Bonita”. Shpenzimet e hotelit, përfshirë fjetjen, mëngjesin, drekën e darkën do t’ua paguajë Komuna e Prishtinës, shkruan FaktePlus.

Udhëtimi do të organizohet këtë të premte, dhe punëtorët komunalë do të kthehen në shtëpi të dielën mbrëma.

Ndonëse, e gjithë Komuna e Prishtinës ka rreth 700 shërbyes civilë, FaktePlus ka mësuar se në ekskursionin e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të Komunës së Prishtinës do të marrin pjesë afro 500 prej tyre.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendim para pesë ditësh që të paguajë shpenzimet e punëtorëve të tij nga arka komunale, të cilat do të jenë në vlerë prej 5000 eurove.

“Për udhëtimin e cekur në pikën I të këtij vendimi, ndahet shuma prej 5000 (pesë mijë eurove), nga kategoria e subvencioneve. ‘Mjetet e cekura në pikën II të këtij vendimi, do të shpenzohen për akomodim, mëngjes, fjetje, drekë dhe darkë”, thuhet në vendimin e kryetarit Shpend Ahmeti.

“Transportin do ta sigurojë Këshilli organizativ me mjetet e siguruara nga participimi i shërbyesve civilë pjesëmarrës në ekskursion”, thuhet tutje në vendim.

Ndonëse në vendimin e kryetarit thuhet se shërbyesit civilë do të paguajnë udhëtimin vetë, FaktePlus ka mësuar se shërbyesve civilë u është kërkuar që të dërgojnë në Sindikatë nga 30 euro enkas për këtë ekskursion, ani pse mesatarisht bileta për në Durrës kushton 10 deri në 15 euro.

FaktePlus ka kërkuar sqarim nga Komuna e Prishtinës rreth kësaj çështjeje, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.