Quni: Nëse s’ka koordinim me ndërkombëtarët, nisma për ushtrinë do të dështojë

Aktuale September 19, 2018 - 13:42
Lexo tjera detaje

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka vlerësuar se nisma e qeverisë për ta bërë ushtrinë nëpërmjet ndryshimeve ligjore nuk do të ketë sukses, po qe se nuk do të ketë dakordim me faktorin ndërkombëtar, raporton zeri.info. Sipas tij, në asnjë rrethanë nuk duhet të lejohet që të përsëriten gabimet e të shkuarës, kur nismat e tilla (të ndërmarra pa konsultim me ndërkombëtarët), kishin dështuar qysh në nisje.

“Përvoja na mëson se një proces i natyrës së tillë, do të dështon nëse nuk është mirë i koordinuar me partnerët strategjik. Besoj se kemi krijuar mjaft përvoja që mos t'i përsërisim gabimet nga e kaluara, por me forcën e fakteve dhe argumenteve, të bindim partnerët tanë se Kosovës i duhet një Forcë e Armatosur si garantuese e paqes për të gjithë qytetarët dhe operacionale për misionet ndërkombëtare, paqeruajtëse”, ka deklaruar ai në një prononcim për zeri.info.

Megjithëkëtë sipas Qunit, krijimi i kapaciteteve ushtarake mbetet detyrë e përhershme e institucioneve relevante si nevojë e kohës dhe zhvillimeve në rajon. Por një gjë e tillë sipas tij është penguar nga deputetët e komunitetit serbë dhe mospërkrahja e komunitetit ndërkombëtar që kjo çështje të trajtohet me ligj. Andaj, ai ka uruar që drejtuesit e qeverisë të jenë dakorduar me faktorin ndërkombëtar për këtë çështje paraprakisht, ashtu siç janë deklaruar tashmë.

“Uroj që deklarimet e qeveritarëve në lidhje me temën, të jenë në përputhje me veprimet sa i përket unifikimit të brendshëm politik dhe bashkëpunimit me partnerët strategjik, në veçanti me SHBA-të dhe NATO-n. Përderisa e kundërta e kësaj është vetëm edhe një konsumim i panevojshëm që e rëndon edhe më shumë procesin e transformimit nga FSK ne FAK”, ka potencuar ai. Ndërkohë, menjëherë pasi qeveria miratoi gjatë javës së shkuar pakon e projektligjeve për ushtrinë, pati reagime nga ambasada e SHBA-ve në Kosovë dhe nga zyrtarët e NATO-s.

Përderisa nga ambasada thanë se nuk ka pasur fare konsultim me ta për miratimin e projektligjeve, zyrtarë të NATO-s kërkuan që ushtria të bëhet nëpërmjet amandamentimit kushtetutes.

E për të ardhur deri te ndryshimet kushtetuese nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, përfshirë edhe 2/3 e votave të deputetëve të komuniteteve joshumicë (ku rrjedhimisht nevojiten edhe votat e Listës Serbe). Mirëpo, Lista Serbe tash e sa kohë po vazhdon të deklarohet kryekëput kundër bërjes së ushtrisë, duke pamundësuar kështu bërjen e ushtrisë nëpërmjet kushtetutës. /Zeri