LVV-ja pas 10 ditësh protesta 'për ta korrigjuar' Thaçin

Aktuale September 19, 2018 - 08:04
Lexoni më shumë detaje
Image

Ftesës së partisë së Albin Kurtit për protestë më 29 shtator 2018 nuk do t’i bashkëngjitet LDK-ja e as PSD-ja, shkruan sot Gazeta "Zëri.info".

Lëvizja Vetëvendosje pas dhjetë ditësh (29 shtator 2018) do t’i rifillojë protestat në sheshet e Prishtinës për ta kundërshtuar iniciativën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve dhe kompromise të dhimbshme me Serbinë në kuadër të fazës finale të dialogut.

LEXO EDHE: Manovrat e rrezikshme politike të Thaçit

Megjithatë, ftesës së partisë së Albin Kurtit për protestë nuk do t’i bashkëngjiten as ish-bashkëpartiakët e tyre, të cilët qe disa muaj janë bërë pjesë e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

As partia tjetër opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk do të protestojë bashkë me Vetëvendosjen.

LVV: Thaçi duhet të ndalet

Sipas kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit, aventura e presidentit të Kosovës për diskutimin e kufirit të vendit duhet të ndalet dhe qytetarët nuk do t’i nënshtrohen një njeriu siç është Thaçi.

“Situata politike në Kosovë është e rëndë, sidomos nga ndërmarrja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për dialog të ri me homologun e tij serb pa mandat nga Kuvendi, pa parime për dialogun, pa ekip gjithëpërfshirës, si dhe me parashikimin e tij për ‘kompromis të dhimbshëm’ gjatë ‘korrigjimit të kufijve’. Kjo aventurë personale e presidentit të Kosovës duhet ndalur dhe duhet ndaluar”, ka thënë Kurti.

Më tutje Kurti ka përmendur edhe bllokadën në Kuvend, për të cilën ka thënë që ka shkaktuar gjendje të rëndë socio-ekonomike.

“Edhe gjendja socio-ekonomike në Kosovë është e rëndë për shkak të mungesës së zhvillimit të progresit dhe teprisë së keqqeverisjes e korrupsionit. Nga skandalet e shpeshta dhe të shumta të kryeministrit e të kabinetit enorm të tij na nxjerrin veçse zgjedhjet e reja parlamentare. Qeveria po e bojkoton Kuvendin sepse ajo po e lufton opozitën, krejt kjo nën mbikëqyrjen e kryetarit të Kuvendit”, ka theksuar Kurti.

Ndërsa për mospjesëmarrjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Kurti ka thënë se aty nuk ka parë gatishmëri për protesta. “Kemi pasur kontakt me LDK-në dhe përshtypja ime është që ata kanë më shumë interesim sesa gatishmëri. Çdo ditë që kalon, aq më shumë do të binden se këto protesta do të jenë të domosdoshme”, ka thënë ai.

Kajtazi: Do ta ndjekim rrugën institucionale

Lirie Kajtazi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një prononcim për gazetën “Zëri” ka rikonfirmuar qëndrimin se kjo parti do t’u qëndrojë besnike rrugëve institucionale.

“LDK-ja vazhdon të insistojë në rrugën institucionale, pra të vazhdohet aty ku kemi mbetur me seancën për dialogun Kosovë - Serbi. Do të insistojmë derisa të shteren të gjitha mundësitë, në mënyrë që të triumfojë demokracia në Kuvend. Po presim deri në mbajtjen e seancës, pastaj në koordinimin me Kryesinë e partisë vendosim për hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë ajo.

Kajtazi ka thënë që primare tani është mbajtja e seancës për dialogun, seancë kjo e thirrur nga opozita e vendit.

“Ne presim që edhe pozita do të na kuptojë në aspektin e mbajtjes së seancës për dialogun. Veprimet e opozitës në një shkallë janë të koordinuara, jemi dakorduar në shumë tema të rëndësishme për vendin, rast konkret seanca për dialogun”, ka thënë ajo, duke shtuar se edhe protestat janë një e drejtë përmes së cilës qytetarët mund të shprehim pakënaqësitë e shkaktuara nga shkarjet e demokracisë dhe të devijimeve të Kuvendit.

PSD: Dialogu meriton trajtim më serioz sesa protestat

Natyra Kuçi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate (PSD), i ka thënë gazetës “Zëri” se ky subjekt nuk ka marrë ndonjë ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk mund të shkojmë prapa organizimeve partiake në të cilat nuk jemi ftuar dhe rrjedhimisht nuk jemi të njoftuar me qëllimin dhe me synimin e atij organizimi. Çështja e dialogut meriton një trajtim më serioz nga opozitat”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një iniciativë e Vetëvendosjes e ka vendosur PSD-në para aktit të kryer dhe si e tillë është iniciativë me qëllim të përçmimit.

“Përveç pajtimit për qëndrimet për çështje të caktuara, veçanërisht për dialogun, duhet të kemi pajtueshmëri edhe për metodat e kundërshtimit. Nuk është e drejtë, madje është kundërproduktive që të vendosen subjektet politike para aktit të kryer. Kjo është për t’ua mohuar subjektivitetin. Është tepër e dëmshme si për bashkëpunimin, ashtu edhe për kundërshtimin nëse këto synohen të bëhen përmes desubjektivizimit e përçmimit të tjetrit bashkëpunues”, ka thënë Kuçi.

Sipas saj, iniciativat për ndaljen e presidentit Thaçi janë të suksesshme vetëm nëse e kanë të gjithë opozitën.

“Aventurat e Hashim Thaçit mund të ndalen vetëm bashkë, me opozitë të bashkuar e në bashkërendim me strukturat e gjera shoqërore dhe me qytetarët. E kundërta i konvenon vetëm projektit të tij”, ka thënë ajo.

Ismaili: Opozita duhet të unifikohet për të mirën e vendit

Valmir Ismaili, nga organizata “Demokraci Plus”, në një prononcim të dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë që inatet personale të PSD-së dhe besnikëria e LDK-së ndaj parimit institucionalist po e pengojnë unifikimin e opozitës.

“Nëse protesta do të organizohej nga protesta e unifikuar do të ishte më e fuqishme dhe më domethënëse. Përderisa PSD-ja dihet që ka shumë inate personale me LVV-në, LDK-ja si duket dëshiron që t’i qëndrojë akoma besnik parimit se është organizatë institucionaliste dhe mosmarrëveshjet tenton t’i zgjidhë në institucione dhe jo në rrugë. Të mos harrojmë që LDK-ja ka edhe probleme të brendshme, që ndoshta e pengojnë të ketë një zë unifikues në këtë çështje”, ka thënë ai.

Sipas tij, protestat të cilat do të organizohen, qoftë nga vetë LVV-ja ose edhe nga e gjithë opozita, duhet të jenë paqësore. “Përderisa as bllokimet në Kuvendin e Kosovës nuk po japin rezultatet e duhura, atëherë nëse opozita do të donte përnjëmend të kishte ndryshime në këtë vend do të duhej të ishte e unifikuar dhe të organizonte protesta të qeta dhe paqësore për të kundërshtuar procesin e dialogut në formën se si është duke ndodhur tani”, ka thënë ai.

Ndërkaq zgjidhja më e mirë për të dalë nga kjo situatë kaotike në Kosovë, siç thotë ai, është diskutimi në Kuvend dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të reja.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte që liderët e subjekteve politike të uleshin brenda Kuvendit të Kosovës dhe të diskutonin për një mori çështjesh të rëndësishme për vendin dhe në kuadër të këtyre çështjeve ta fusnin edhe reformën zgjedhore dhe afatin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Nëse do të kishte një diskutim dhe marrëveshje në pako për shumë çështje, atëherë ndoshta do të kishte shpresë për të dalë nga një bllokadë e tillë, nga e cila po humbasin vetëm qytetarët e Kosovës”, ka theksuar Ismaili për gazetën “Zëri”.