Ahmeti tregon se sa veteranë ka pasur UÇK-ja

Aktuale September 18, 2018 - 22:51
Lexo detajet

Kryetari i PSD-së njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se çështjen e veteranëve partitë në pushtet po mundohen ta shndërrojnë në betejë, “a je për, apo kundër luftës?”.

“Koalicioni qeveritar po tenton me shndërrua çështjen e veteranëve në shndërrua në betejë: ‘a je për,  apo kundër luftës?’. Kjo është një gjë shumë problematike, sepse diskutimi nuk është për këtë çështje”.

Ahmeti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se” të gjithë e dimë se nuk kanë qenë 60 mijë ushtarë të UÇK-së”.

“Ka qenë gati si sekret publik fakti që nuk kanë qenë 60 mijë. Kryeministri ka thënë se njëherë ka mbet në Dukagjin me 50 veta”, tha Ahemti.

Ahmeti ka thënë se në bazë të shifrave të IOM, nuk ka më shumë se 15 mijë veteranë të UÇK-së. E si tash u bënë menjëherë 60 mijë.

“Në vitin ’99 kam punuar si student me IOM dhe shkuam për t’i regjistruar të gjithë luftëtarët sepse u duhej lista për t’i risocializuar në shoqëri. Ideja e programit ishte për tu dhënë ndonjë pagesë, apo ndonjë vend pune. Në bazë të atyre shifrave del që nuk ka pasur më shumë se 15 mijë luftëtarë. Tash përnjëherë dolën mbi 60 mijë veteranë”, tha ai.

Sipas kreut të PSD-së, nëse korrigjohen listat e veteranëve, jo që nuk do të kemi probleme buxhetore, por do të ketë benificione të mjaftueshme për veteranët e vërtetë.

Ahmeti ka thënë se është lehtë e vërtetueshme nëse është ndërhyrë në aktakuzën e Elez Blakajt.

“Jam i sigurt që Elez Blakaj e ka një draft të aktakuzës që e ka bërë”, deklaroi Shpend Ahmeti.