LDK nuk ndryshon mendje, s’merr pjesë në protestën e thirrur nga Vetëvendosje

Aktuale September 18, 2018 - 19:28
Lexo tjera detaje

U bënë javë prej se kur Lëvizja Vetëvendosje përmend protestat si mjet për ta ndaluar idenë e korigjimit të kufijve në dialogun Kosovë – Serbi, të inicuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, si një zgjidhje për arritjen e marrëveshjes së paqes mes dy vendeve.

VV i bëri ftesë publike partisë tjetër opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës, por jo edhe PSD-së, që t’i bashkohen protestave siç i quajtën ata, gjithpopullore në sheshin e Prishtinës. Por kjo ftesë u refuzua nga ana e LDK.

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së mbrëmë, kryetari Isa Mustafa tha se nuk do marrin pjesë në protestë pasi që nuk i shohin ende si mjet për t’u ndaluar një ide si ajo e korrigjimit të kufijve. Ai tha se ka ende forma tjera për t’u ndalur.

Por edhe pas kësaj, VV sot me publikimin e datës dhe orës së protestës përsëri i bëri thirrje partive por edhe individëve nga partitë, të marrin pjesë në protestë. Në fjalën e tij kryetari Albin Kurti tha se janë të mirëpritur t’iu bashkohen në protestë dhe t’a refuzojnë këtë ide që sipas tij, po i mban të bllokuara shumë çështje të rëndësishme të shtetit.

Por LDK përsëri nuk ka ndërruar qëndrim. Në një prononcim të shkurtër për lajmi.net nënkryetari Haki Rugova tha se do i qëndrojnë besnik deklarimeve të mbrëmshme të Isa Mustafës.

“Ne nuk kemi ndërruar qëndrim, vazhdojmë me atë qëndrim që e ka mbajtur mbrëmë pas mbledhjes së Kryesisë kryetari Mustafa”, tha ai.

Në protestën e VV-së nuk do marrin pjesë as PSD-ja. Kjo u bë e ditur nga zëdhënësja e PSD-së Natyra Kuçi përmes një shkrimi në Facebook ku tha se nuk kanë marrë ndonjë ftesë për protestë.

Ndryshe, protesta do të mbahet me datë 29 shtator prej orës 14:00.