"Thaçi e lut Berishën të takohet, ky e refuzon me përçmim"

Aktuale September 18, 2018 - 17:54
Lexo detajet

Hashim Thaçi ka bërë hap pas në strategjnë e tij për të sulmuar publikisht të gjithë ata që i janë kundërvënë idesë së tij për shkëmbim territoresh me Serbinë. Burime të dorës së parë bëjnë të ditur se ai po kërkon dëshpërimisht një takim me Sali Berishën, që vazhdon ta quajë atë “argatin e Serbisë”.

Fillimisht kundërshtimit të Berishës për ndarjen e Kosovës, në mënyrë absurde, Hashim Thaçi iu përgjigj me një sulm harbut, duke e etiketuar ish kryeministrin si thyerës së embargos me Millosheviqin dhe mik të Arkanit, shkruan Lapsi.al

Por për këtë mori reagime të shumta. Njerëzit që përpunojnë strtegjinë e tij i thanë se ai nuk mund të shtyjë përpara një ide kombëtare, duke hyrë në konflikt me faktorët vendas. Edhe vetë Edi Rama, që qëndron mbrapa negociatave Thaçi- Vuçiç, në emisionin “Open” të Eni Vasilit, deklaroi se megjithëse mendimi i tij për Berishën dihet, deklarata e Thaçit ishin të pavend.

Kjo e ka bërë presidentin e Kosovës të bëjë një kthesë 180 gradë. Ai ka futur në punë të gjitha kanalet e lobimit në Tiranë për të “qetësuar” Sali Berishën dhe për të ulur ndikimin që ai ka në Kosovë, në strukturat e LDK-së dhe në marrëdhëniet e reja që po thurr me Vetëvendosjen.

Këtë rol, përveç të tjerëve e kanë marrë përsipër kryesisht drejtuesit e TV Klan. Të enjten e shkuar në darkën me verë në Padam, pas emisionit “Opinion”, ku ka qenë i ftuar Sali Berisha, ndaj tij është ushtruar një trysni e butë por konstante për t’u takuar me “Hashimin”.

Berisha ka mbajtur të njëjtin qëndrim që ka shfaqur edhe publikisht duke thënë se nuk bisedon me “argatët e Beogradit” dhe lobistët e Tv Klan nuk kanë arritur t’ia dalin.

Pak a shumë këtë refuzim e ka konfirmuar edhe një shkrim i “Syri.net”, i cili i merr informacionet nga vetë Berisha “dorë e parë”.

“Presidenti i Kosovës besohet se i ka luajtur të gjitha kartat për të blerë në mospëlqimin e ish Kryeministri të Shqipërisë, të paktën heshtjen e tij. Ne mungesë të refuzimit për të ngjitur ashensorin e 24-katëshit që të dërgon në zyrën e Sali Berishës për Hashim Thaçin, ky i fundit ka bërë çmos që qoftë edhe për disa minuta në zyrën e Doktorit në katin 14, të mund të futej avokati i tij përjetshëm mediatik, Baton Haxhiu”, shkruhej në një shkrim të djeshëm të Syrit.

Pra, me gjithë përpjekjet dhe lobimin e pronarëve të fuqishëm mediatikë, Hashim Thaçi nuk po mundet t’i ndalojë, as efektet e arrogancës së deklaratave të tij të para dhe aq më pak krijimin e një koalicioni shqiptaro- shqiptar, kundër ndarjes së Kosovës, që mbështetet edhe nga kanalet diplomatike gjermano- britanike. /Lapsi.al