Ahmeti falënderon socialdemokratët e Parlamentit Evropian për votën pro liberalizimit

Aktuale September 18, 2018 - 17:44
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, u ka dërguar letër falënderuese Grupit Parlamentar Socialdemokrat (S&D) në Parlamentin Evropian dhe Raportueses së Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, Tanja Fajon për mbështetjen në dobi të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Pa përpjekjet tuaja të palodhura dhe mbështetjen e qartë të dhënë nga Grupi Socialdemokrat gjatë gjashtë viteve të fundit, sinjali i fuqishëm i shpresës dërguar qytetarëve tanë, që izolimi i tyre duhet të përfundojë, nuk do të ishte e mundur”, thuhet në letër.

Tutje në letër PSD ka shfaqur shqetësimin se ky proces mund të dështojë në Këshillin e Ministrave që është faza e fundit për liberalizimin e vizave.

Ky shqetësim lidhet me Spanjën, Greqinë dhe Çipron, shtete këto që nuk e njohin shtetin e Kosovës, si dhe me Francën e Holandën që votuan kundër edhe në Parlamentin Evropian.

“Izolimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet të përfundojë. Qytetarët nuk duhet t’i bartin pasojat që i kanë shkaktuar politikanët e korruptuar të Kosovës”, thuhet më tej në letrën falënderuese.

Parlamenti Evropian më 12 shtator votoi pro liberalizimit të vizave për kosovarët.