Në tetor bëhen të ditur emrat e dy ministrave të rinj në qeverinë Haradinaj

Aktuale September 18, 2018 - 16:57
Lexo detajet

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka njoftuar se në fillim të muajit tetor të këtij viti do të bëhen të ditur emrat e dy ministrave të rinj, njëri në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH) dhe tjetri në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), shkruan “Zëri.info”.

Sipas Haradinajt konsulta me partnerët është bërë dhe pritet që vetëm të vendoset se kush do të jetë në krye të këtyre dy ministrive të cilat aktualisht janë duke vepruar me ushtrues detyre.

LEXO EDHE: Haradinaj paralajmëron tragjedi dhe kthim prapa në kohë nëse diskutohen kufijtë e Kosovës

“Ne kemi bërë një konsultë me partnerë. Njëra ministri është nga AKR, pra dha dorëheqje ministra Reshitaj. Tash mendoj se është edhe koha e duhur që ta vendosim një ministër. Kemi menduar që të jetë femër edhe për shkak të arsyes gjinore. Është një ushtrues detyre tani edhe te Ministria e Tregtisë nga Nisma. Besoj që edhe atu Nisma ia vlen me e dërgu tutje një propozim. Po besoj që brenda tetorit mund të ndodh”, ka thënë Haradinaj gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Në MMPH, ushtrues detyre aktualisht është Fatmir Matoshi pas dorëheqjes së ish-ministres Albena Reshitaj, ndërsa së fundmi nga MTI është shkarkuar ish-ministri Bajram Hasani. /ZËRI