Haxhiu me fjalët e Albin Kurtit bën thirrje për protesta

Aktuale September 18, 2018 - 15:31
Protesta do të mbahet me 29 shtator

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në “Facebook”, ku ka ritransmetuar fjalimin e liderit të kësaj partie Albin Kurti, ka bërë thirrje për pjesëmarrjen në protestën e organizuar nga kjo parti më 29 shtator, shkruan “Zëri.info”.

Kjo protestë do të mbahet kundër udhëheqjes së bisedimeve me Serbinë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe për kundërshtimin që në dialog të flitet për korrigjimin e kufijve në mes të dy shteteve.

LEXO EDHE: Vetëvendosje proteston më 29 shtator

Ja postimi i saj i plotë:

Situata politike në Kosovë është e rëndë, sidomos nga ndërmarrja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për dialog të ri me homologun e tij serb, pa mandat nga Kuvendi, pa parime për dialogun, pa ekip gjithpërfshirës, si dhe me parashikimin e tij për ‘kompromis të dhimbshëm’ gjatë ‘korrigjimit të kufijve’. Kjo aventurë personale e Presidentit të Kosovës duhet ndalur dhe duhet ndaluar. Ai tani shënon mbështetjen më të ultë qytetare në Kosovë në gjithë karrierën e tij politike. Ky president nuk as legjitimitet, as kompetencë dhe as kredibilitet.

Edhe gjendja socio-ekonomike në Kosovë është e rëndë, për shkak të mungesës së zhvillimit e progresit dhe teprisë së keqqeverisjes e korrupsionit. Nga skandalet e shpeshta dhe të shumta të kryeministrit e të kabinetit enorm të tij, na nxjerrin veçse zgjedhjet e reja parlamentare. Qeveria po e bojkoton Kuvendin sepse ajo po e lufton opozitën, krejt kjo nën mbikëqyrjen e kryetarit të Kuvendit. Pushteti në Kosovë e ka braktisur shtetndërtimin demokratik: ai nuk e don sundimin e ligjit dhe nuk din për zhvillim ekonomik.

Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE!, më 29 shtator 2018, thërret protestë paqësore e qytetare në Prishtinë, në ora 14:00. Ne i kemi institucionet e shtetit të kapura. Sheshi është institucion në republikë. Pakënaqësia duhet të dalë në shesh. I ftojmë qytetarët e të gjitha moshave e vendbanimeve, anëtarët e të gjitha partive dhe organizatave të bashkohen në protestë. Një popull s’i nënshtrohet një njeriu.

Asgjë më pak se shpëtimi i shtetit të Kosovës nuk është në pyetje. Ruajtja e integritetit territorial e institucional dhe mbrojtja e popullsisë dhe paqes në Kosovë, janë detyra jonë si qytetarë të republikës, si politikanë përfaqësues e si aktivistë politikë.

Pasi që na e rrudhën lirinë dhe demokracinë, institucionet dhe mirëqenien, duan të na e rrudhin edhe territorin dhe pavarësinë. Duan ta ndajnë Kosovën e ta copëtojnë edhe Kosovën Lindore. Pazaret e Thaçit me Vuçiqin nuk do t’i paguajmë ne. Sepse, një popull s’i nënshtrohet një njeriu./ZËRI