Vetëvendosje proteston më 29 shtator

Aktuale September 18, 2018 - 13:59
Lexo detajet

Përmes një konference për media lideri i lëvizjes Vetëvendosje ka njoftuar se kjo parti do të protestojë më 29 shtator, nga ora 14:00 në, shkruan “Zëri.info”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE!, më 29 shtator 2018, thërret protestë paqësore e qytetare në Prishtinë, në ora 14:00. Ne i kemi institucionet e shtetit të kapura. Sheshi është institucion në republikë. Pakënaqësia duhet të dalë në shesh. I ftojmë qytetarët e të gjitha moshave e vendbanimeve, anëtarët e të gjitha partive dhe organizatave të bashkohen në protestë. Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, ka konfirmuar Kurti.

Sipas Kurtit tani gjendja politike në Kosovë është rënduar dhe se presidenti i ve3ndit Hashim Thaçi është duke negociuar me homologun serbë për ndarjen e Kosovës.

“Situata politike në Kosovë është e rëndë, sidomos nga ndërmarrja e Presidentit i Kosovës, Hashim Thaçi, për dialog të ri me homologun e tij serb, pa mandat nga Kuvendi, pa parime për dialogun, pa ekip gjithpërfshirës, si dhe me parashikimin e tij për ‘kompromis të dhimbshëm’ gjatë ‘korrigjimit të kufijve’. Kjo aventurë personale e Presidentit të Kosovës duhet ndalur dhe duhet ndaluar. Ai tani shënon mbështetjen më të ultë qytetare në Kosovë në gjithë karrierën e tij politike. Ky president nuk as legjitimitet, as kompetencë dhe as kredibilitet”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka folur edhe për bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe për bojkotimin e Kuvendit nga ana e qeverisë, ku sipas Kurtit qeveria është duke e luftuar opozitën.

“Edhe gjendja socio-ekonomike në Kosovë është e rëndë, për shkak të mungesës së zhvillimit e progresit dhe teprisë së keqqeverisjes e korrupsionit. Nga skandalet e shpeshta dhe të shumta të kryeministrit e të kabinetit enorm të tij, na nxjerrin veçse zgjedhjet e reja parlamentare. Qeveria po e bojkoton Kuvendin sepse ajo po e lufton opozitën, krejt kjo nën mbikëqyrjen e kryetarit të Kuvendit. Pushteti në Kosovë e ka braktisur shtetndërtimin demokratik: ai nuk e don sundimin e ligjit dhe nuk din për zhvillim ekonomik”, ka thënë tutje ai.

Kurti ka pohuar se pazaret e dy liderëve nuk do të i paguaj askush pasi që një popull nuk i nënshtrohet një njeriu.

“Pasi që na e rrudhën lirinë dhe demokracinë, institucionet dhe mirëqenien, duan të na e rrudhin edhe territorin dhe pavarësinë. Duan ta ndajnë Kosovën e ta copëtojnë edhe Kosovën Lindore. Pazaret e Thaçit me Vuçiqin nuk do t’i paguajmë ne. Sepse, një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, ka përfunduar ai. /ZËRI