Anton Quni për publikimin e Listave të Veteranëve “Mashtrues”: Ka një mesazh të fuqishëm

Aktuale September 18, 2018 - 13:38
Lexo tjera detaje

Ish-komandanti i Forcave Speciale të UÇK-së, Anton Quni, ka folur për ‘Gazeta Blic’, rreth procesit të verifikimit të veteranëve. Ai pohoi se tashmë gjërat janë bërë edhe me të ndërlikuara, ku në mesin e mijërave veteranëve të rrejshëm, janë gjetur edhe të vërtetët.

“Pasi u kuptua se procesi i verifikimit të veteranëve është kompromituar, është shpresuar se organet e drejtësisë do të ja arrijnë t’i pastrojnë listat nga veteranët e rrejshëm. Por, në ndërkohë u kuptua se edhe ky proces është kompromituar nga fakti se dolën në sipërfaqe ndërhyrjet e politikës, raportet brenda prokurorisë dhe mos qëndrueshmëria e zyrtarëve që të përmbyllin misionin. Situata është komplikuar dhe tensionuar edhe më shumë, kur në listën e veteranëve të rrejshëm gjinden edhe emrat e veteranëve të vërtetë” , është shprehur Quni për ‘Gazeta Blic’.

Por pavarësisht këtyre, Quni porosit veteranët e vërtetë që të përmbahen nga gjuha denigruese, dhe së bashku me komandantet e tyre dhe me fakte ta fitojnë betejën para organeve të drejtësisë

“Sidoqoftë, veteranët do të duhej të përmbahen nga gjuha dhe veprimet denigruese të cilat janë në kundërshtim me etikën e veteranit. Ata me ndihmën e komandantëve të tyre, duhet ta fitojnë edhe një betejë para organeve të drejtësisë, vetëm me forcën e fakteve dhe argumenteve”, potencoi ai.

Në fund, Quni theksoi se çështja e veteranëve duhet të trajtohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Në ndërkohë, kjo temë do të duhej të trajtohet edhe në Parlament, filluar nga rishikimi i ligjit për verifikimin e veteranëve deri tek hulumtimi i përvojave më të mira në rajon”, ka përfunduar deklaratën Quni për ‘Gazeta Blic’.

Shihni më poshtë një video gjatë Betejës së Koshares, ku ishte Anton Quni:

Ndërkaq, në listat e bëra publike, numri i veteranëve të rrejshëm arrin deri në 20 mijë.

Ndërsa Zona e Dukagjinit është radhitur e para, me afro 8 mijë persona që përfitojnë jashtëligjshëm nga buxheti i Kosovës.

Pasi publikimit të listave të veteranëve të rrejshëm, ku kanë figuruar edhe emrat e atyre që kanë kontribuar në periudhën e luftës, ka reaguar edhe prokurori i shteti.

Përmes një kumtese për media ka njoftuar opinionin se gjatë fazës së grumbullimit të informacioneve si dhe gjatë hetimeve që kanë zgjatur për një vit e gjysmë, janë shqyrtuar mbi 80 mijë aplikacione.

Sipas tyre, nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së, është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë do të kërkojnë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe do ti propozohet Gjykatës, që në bazë të dokumentacionit të rishikuar që ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar.