Komisioni për mbikëqyrjen e FSK-së shqyrton planin vjeshtor

Aktuale September 18, 2018 - 10:55
Lexo detajet

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës është duke shqyrtuar planin e punës për sesionin vjeshtor 2018 me ç'rast u tha se ka pasur ngecje në punën e Komisionit përgjatë sesionit të kaluar raporton Zeri.info.

Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se duhet që të bëhen publike çështjet që nuk janë realizuar në komision.

"Ajo që është realizu deri më tani është mirë të kemi të dhëna për të, po ashtu edhe për atë që nuk është realizu në mënyrë që ta plotësojmë në këtë periudhë të vitit atë që nuk kemi arritur të realizohet", tha Beqiri.

Ndërkohë Rexhep Selimi nga LVV tha se shumë çështje kanë mbetur pa u realizuar në sesionin pranveror.

"Për disa prej çështjeve nuk varet nga ne se a do ti fusim në rend për sesionin vjeshtor apo jo, por varet nga institucionet tjera dhe sponzorizuesit e nevojshëm", tha Selimi.

Një ndër çështjet me prioritet e që ende nuk ka ardhur në komision për miratim, Selimi tha se është çështja e formimit të ushtrisë.

"Ligjet që kanë të bëjnë me FSK-në ka mbetur pa ardhur në komision shpresoj që pas kaq vitesh këto të vinë në Komision sepse ne prej muajit maj e kemi pasur në agjendë", tha ai.

"Mirëpo tani e dimë që ka një iniciativë për formimin e ushtrisë, dhe nëse vijnë 3 projektligjet në Komision atëherë kemi shumë punë", tha Selimi duke shtuar se është për çudi sjellja e Ministrisë se FSK-së për këto ligje./Zëri