Grupi Punues për Vizat, javën tjetër në Kosovë

Aktuale September 18, 2018 - 08:02
Mësoni më shumë detaje
Image

Grupi Punues për Vizat (COWEB), i cili funksionon në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian, javën e ardhshme do ta vizitojë Kosovën për të parë nga afër punën që është bërë sa i përket reformave, posaçërisht rreth sundimit të ligjit dhe aspekteve tjera që ndërlidhen me të, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën tashmë ka hyrë në një fazë dinamike. Të hënën ky proces ka kaluar në “duart” e Grupit Punues për Vizat (COWEB), i cili funksionon në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Ky Grup pritet që më 25 dhe më 26 shtator ta vizitojë Kosovën për të parë nga afër punën që ka bërë Kosova në sundimin e ligjit dhe në çështjet tjera që ndërlidhen me liberalizimin e vizave.

LEXO EDHE: Ushtria s’bëhet pa përkrahjen e ndërkombëtarëve

Pas kësaj faze çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të kalojë në instancën e dytë që quhet COREPER (Ambasadorët e Përhershëm në Këshill të BE-së), shkruan më tutje "Zëri".

Menjëherë pas kësaj faze çështja e vizave do të kalojë për votim në Këshillin e Ministrave të shteteve anëtare të BE-së.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës shprehen optimistë se këtë vit Kosovës do t’i hiqet regjimi i vizave për zonën Shengen, pasi janë përmbushur të gjitha kërkesat nga Bashkimi Evropian.

Në anën tjetër njohës të integrimeve evropiane thonë se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza tek në maj të vitit të ardhshëm.

Hoxha: Presim këtë vit të hiqen vizat

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, ka deklaruar për “Zërin” që liberalizimi i vizave për Kosovën pritet të ndodhë deri në fund të vitit, mirëpo një gjë e tillë nuk varet më nga Kosova, por nga shtetet anëtare të BE-së.

“Procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave varet tashmë nga shtetet anëtare të BE-së. Ajo çfarë është shumë e rëndësishme në këtë proces, është fakti që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara dhe kjo është thënë qartë nga Komisioni Evropian në korrik të këtij viti. Mbi këtë bazë ka votuar bindshëm pro këtij procesi edhe Parlamenti Evropian dhe ne besojmë që procesi do të ecë tutje drejt arritjes së objektivit kryesor. Nëse ka vullnet deri në fund të vitit shpresoj që do arrijmë ta përmbyllim këtë proces”, ka thënë Hoxha.

Hoxha mes tjerash ka folur edhe për takimin e parë të Grupit Punues për Vizat, ku sipas saj diskutohet detajisht për procesin e vizave të Kosovës.

“Në këtë takim për herë të parë shtetet anëtare të BE-së do të informohen nga Komisioni Evropian (Drejtoria e Përgjithshme për Migracion dhe për Çështje të Brendshme) mbi përmbushjen e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave të Kosovës. Gjatë këtij prezantimi të Komisionit Evropian pritet të ketë pyetje specifike dhe diskutime nga shtetet anëtare të BE-së, përkitazi me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në tërësinë e saj”, ka thënë Hoxha.

Sipas Hoxhës, më 25-26 shtator Grupin Punues për Vizat (COWEB) do t’i vizitojë institucionet e Kosovës përkitazi me procesin e liberalizimit të vizave.

“Në këtë mision do të shikohet gjendja nga afër sa u përket reformave të Kosovës, specifikisht sundimi i ligjit dhe aspektet që lidhen me të. Të dhënat që merr ky mision do të orientojnë vendimmarrjen e strukturave të Këshillit të BE-së, pra do të ndikojnë në vendimmarrjen së pari në COWEB dhe në Grupin për Vizat, pastaj në instancën e dytë që quhet COREPER (Ambasadorët e Përhershëm në Këshill të BE-së) dhe krejt në fund kjo do të ndikojë në vendimin e takimit të Këshillit të BE-së, ku ulen ministrat”, ka theksuar ajo.

Kadrijaj: Këshilli i Ministrave do të votojë pro vizave të Kosovës

Në anën tjetër deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën ka thënë për “Zërin” që Këshilli i Ministrave do të votojë pro liberalizimit, pasi Kosova i ka përmbushur detyrat e saj.

“Ju e dini që kanë mbetur disa procedura të domosdoshme nëpër të cilat çështja e vizave të Kosovës duhet të kalojë, por është e rëndësishme që është marrë rekomandimi pozitiv nga Parlamenti Evropian dhe tani kanë mbetur edhe dy faza. Kjo procedurë do të kalojë edhe në Këshillin e Ministrave, ku besoj që edhe në Këshill do të kalojë sepse Kosova e ka merituar qysh moti liberalizimin e vizave në raport me vendet tjera të rajonit”, ka thënë Kadriaj.

Ndërsa e pyetur për një afat se kur pret që liberalizimi për qytetarët e Kosovës të ndodhë, Kadrijaj është shprehur optimiste se një gjë e tillë do të ndodhë këtë vit.

“Mendoj që ky fundvit do të jetë viti kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm”, ka thënë ajo.

LVV: Sivjet nuk do të ketë liberalizim

Në anën tjetër ndryshe mendon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, e cila për “Zërin” ka thënë që përpos kushtit për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi Kosova nuk ka përmbushur asnjë kriter tjetër.

“Institucionet tona nuk kanë punuar në këtë drejtim përpos demarkacionit, faljes së 8200 hektarëve tokë, asnjë kriter tjetër nuk e kanë plotësuar. Sivjet nuk do të kenë mundësi qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza”, ka thënë Millaku.

Kjo sepse sipas saj Kosova ka probleme të mëdha në të gjitha fushat.

“Nuk është luftuar aspak krimi nëpër institucione bazike, gjykatat dhe Prokuroria vazhdojnë të mbesin të kapura nga politika që po qeveris tash e 20 vjet. Prandaj po themi nuk është punuar asgjë, gjendja ekonomike është në nivelin më të keq, numri i të rinjve që po  kërkojnë zgjidhje në Perëndim është alarmante edhe pse Qeveria po mundohet ta fshehë këtë fakt. Po ashtu në Kosovë po ndodh katastrofa ekonomike”, ka thënë mes tjerash Millaku.

Gjermania, Holanda dhe Franca mbesin problem për vizat e Kosovës

Ndërsa Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), konsideron që afati më i afërt për Kosovën që të marrë liberalizimin e vizave mbetet muaji prill ose muaji maj i vitit të ardhshëm.

“Zakonisht për këto procedura vendimmarrëse në Bashkimin Evropian pas marrjes së vendimit nevojitet një deri në nëntë muaj që të hyjë në fuqi, por në rastin më të mirë për Kosovën nëse vendimi në Këshill të Ministrave do të merret në tetor të këtij viti atëherë ne potencialisht do të mundemi të lëvizim lirshëm deri në fund të vitit, por në praktikë kjo duket e pamundur, kështu që afati më i afërt që kosovarët do të lëvizin pa viza do të jetë muaji prill ose muaji maj i vitit të ardhshëm”, ka thënë Murati.

Murati për “Zërin” ka thënë që problem për vizat e Kosovës mbeten shtetet që kanë probleme me emigracionin.

“Probleme mund të hasim në disa shtete të BE-së, që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe janë mike të Kosovës, mirëpo kanë rezerva sa i përket azilkërkuesve potencialë prej Kosovës. Shtetet si Franca, Holanda dhe një pjesë e Gjermanisë mund të bëjnë një lloj rezistence edhe në Këshill, mirëpo, megjithatë, e mira është që nuk duhet një votim unanim për liberalizim të vizave dhe na nevojitet shumica e kualifikuar, gjë që mund të arrihet edhe me shtetet e tjera, edhe nëse këto shtete votojnë kundër”, ka thënë ai.

Mirëpo sipas tij këto shtete edhe nëse nuk votojnë kundër do të kërkojnë garanci nga shteti i Kosovës që nuk do të ketë fluks të emigrantëve drejt shteteve të tyre.