Ushtria s’bëhet pa përkrahjen e ndërkombëtarëve

Aktuale September 18, 2018 - 07:49
Mësoni më shumë detaje
Image

Megjithëse Qeveria ka proceduar në Kuvend projektligjet për shndërrimin e FSK-së në ushtri, kjo iniciativë nuk pritet të shkojë deri në fund për shkak të kundërshtimit nga ndërkombëtarët. Deputetë dhe njohës të zhvillimeve politike thonë se ushtria nuk mund të bëhet pa mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse gjatë javës së shkuar Qeveria e Kosovës nisi iniciativën për bërjen e ushtrisë, duke votuar Pakon e projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, një nismë e tillë vështirë që do të procedohet në Kuvend para deputetëve.

Qeveria ka deklaruar se nisma për formimin e ushtrisë tashmë mbetet çështje e Kuvendit, ndërsa anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe për Mbikëqyrje të FSK-së thonë se ende nuk dihet se kur kjo iniciativë do të trajtohet në Komision, shkruan më tutje "Zëri".

Ndërkaq deputetë nga opozita mbeten skeptikë nëse kjo nismë do të jetësohet.

Sipas tyre, transformimi i FSK-së duhet të ndodhë në koordinim të plotë me SHBA-në dhe me NATO-n.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve ushtarake konsiderojnë se Kosova është vonuar tejet shumë në aspektin e formimit të ushtrisë, ndaj kjo çështje duhet të përmbyllet deri në fund të këtij viti.

Rugova: Pa koordinim me SHBA-në dhe me NATO-n s’mund të themelohet ushtria

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se LDK-ja e mbështet krijimin e ushtrisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.  

Teksa ka folur rreth nismës së Qeverisë për bërjen e ushtrisë nëpërmjet ndryshimeve ligjore, Rugova është shfaqur skeptik nëse kjo iniciativë ka qenë serioze.

“Këtë Pako projektligjesh që e ka dërguar Qeveria tash në Kuvend kam frikë që përbën aventurën e dytë të radhës sepse ishte edhe një tendencë që ushtria të bëhej me ligj, të transformohet FSK-ja në ushtri pa iu ndryshuar emri. A keni dëgjuar që diku në botë ka ushtri pa emër kushtetues? Jo. Prandaj LDK-ja është për mbrojtjen e parimeve kushtetuese, që ushtria të jetë kategori kushtetuese”, ka nënvizuar ai gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Andaj sipas Rugovës pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar në këtë rrugëtim formimi i ushtrisë është i pamundur të ndodhë.

“Ne nuk jemi kundër iniciativave për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura ose në ushtri. Por jeni duke vërejtur që ende nuk ka koordinim të plotë me partnerët tanë, SHBA-në e NATO-n. Pa këta dy faktorë ushtria nuk mund të themelohet dhe nuk do të jetë ushtri e mirëfilltë”, ka theksuar Rugova. 

Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht deklarimit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, se institucionet nuk janë konsultuar me ta për votimin e projektligjit, nga Qeveria kanë thënë se kryeministri Ramush Haradinaj është në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.

Sveçla: Jam skeptik nëse nisma për ushtrinë do të realizohet

Ndërkaq anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe për Mbikëqyrjen e FSK-së nga LVV-ja, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se nuk dihet ende se kur Pakoja e projektligjeve për ushtrinë do të trajtohet në këtë komision parlamentar.

“Nuk e dimë. Ne të martën kemi mbledhje të Komisionit. Do ta pyesim kryetarin se ku kanë mbetur këto ligje, kur pritet të vijnë?”, ka thënë ai. 

Megjithatë, ai është shprehur skeptik nëse nisma për bërjen e ushtrisë do të ecë tutje dhe do të procedohet në Kuvend.

“Kur ta sjellin materialin e shohim dhe kemi për çka të deklarohemi. Unë jam skeptik, por s’mund të them asgjë pa e sjell Qeveria materialin. Le ta sjellë Qeveria atë, pastaj kemi shumëçka të flasim”, është shprehur Sveçla.  

Miratimi i projektligjeve për ushtrinë nga Qeveria pa pasur kurrfarë diskutimi dhe paralajmërimi sipas tij është i papranueshëm, por jo befasues.

“Nuk befasohemi, kjo Qeveri është e kaosit, nuk është Qeveri që i mungojnë skandalet, ose Qeveri që bën një plan të mirëfilltë se çka të bëjë me çështjet jetike të Kosovës. Kështu që sigurisht se është e papranueshme, por nuk është befasuese për ne”, ka potencuar deputeti i LVV-së. 

Qehaja: Çështja e ushtrisë duhet të përmbyllet deri në fund të vitit

Pavarësisht kësaj njohësi i çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja, ka vlerësuar se Kosova është vonuar sa i përket themelimit së ushtrisë, andaj veprimi i Qeverisë i ndërmarrë tani për themelimin e ushtrisë është vendim i qëlluar.

“Vlerësoj që qeveria ‘Haradinaj’ ka bërë mirë që e ka hedhur në rend dite këtë çështje, përkatësisht e ka aprovuar Ligjin shtesë për FSK-në, duke ia dhënë atributin e detyrave ushtarake”, ka deklaruar ai.

Madje Qehaja ka konsideruar se vendimi i Qeverisë nuk është ndërmarrë pa u konsultuar me ndërkombëtarët, andaj kjo nismë duhet të votohet edhe në Kuvendin e Kosovës.  

“Duhet të bëjmë çmos që kjo çështje të kalojë, të procedohet dhe brenda një kohe sa më të shkurtër të aprovohet dhe kështu definitivisht të kemi Forcën e Sigurisë së Kosovës me atribute ushtarake”, ka nënvizuar ai.

Pavarësisht kërkesës së NATO-s që ushtria të bëhet nëpërmjet Kushtetutës, Qehaja ka thënë se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë.

“Prandaj nuk kemi më kohë për pritje. Në fund të këtij viti kjo çështje duhet të përmbyllet”, ka potencuar ai.

Baliqi: Nëse s’ka mbështetje ndërkombëtare Qeveria do të tërhiqet

Në anën tjetër politologu Bekim Baliqi ka vlerësuar se ushtria nuk duhet të bëhet pa dakordim me bashkësinë ndërkombëtare, madje një nismë e tillë e Qeverisë nuk është aspak e lehtë që të jetësohet.

“Pa një pëlqim të tyre do të jetë gati e pamundshme të realizohet ky projektligj. Ndoshta është pozitiv fakti që po ngrihet kjo çështje, por prapëseprapë mendoj që duhet të koordinohen më mirë me faktorin ndërkombëtar dhe të arrihet mbështetja prej tyre. Si arrihet kjo, është çështje e angazhimit të tyre”, ka deklaruar ai.

Andaj duke u nisur nga rrethanat aktuale sipas Baliqit, Qeveria e Kosovës ka gjasa të tërhiqet nga iniciativa për bërjen e ushtrisë nëpërmjet ndryshimeve ligjore, po qe se nuk ekziston vullneti i bashkësisë ndërkombëtare.

“Nëse nuk ka gatishmëri nga bashkësia ndërkombëtare mendoj që ajo do të tërhiqet. Përndryshe do të jetë tejet e vështirë për t’u realizuar”, ka nënvizuar Baliqi.

Ndërkohë, gjersa ka folur rreth nismës në fjalë politologu Ramush Tahiri ka thënë se është e drejtë legjitime e shtetit të Kosovës për ta bërë ushtrinë.

E meqë bërja e ushtrisë nëpërmjet Kushtetutës është e pamundur aktualisht, sipas tij, Qeveria ka zgjedhur rrugën “B” - përmes ndryshimeve ligjore.

Kjo nismë, siç Tahiri ka thënë, proceduralisht është lehtë të kalojë në Parlament, porse është vështirë të shkohet tutje pa bashkëpunimin me NATO-n.