Mustafa: Fillimisht le të na njoh Serbia me këta kufij, më pas flasim për korrigjim

Aktuale September 17, 2018 - 19:57
Lexo detajet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie duke komentuar idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, ka thënë se fillimisht shteti serb duhet ta njohë Kosovën me kufijtë aktual dhe se pastaj mund të flitet për korrigjime, shkruan “Zeri.info”.

“Le të na pranon Serbia në këta kufij që jemi tani si shtete, me të cilët kufij e kemi shpallur pavarësinë dhe më pas mund të flasim për korrigjime... Kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi interesim për shqiptarët në Luginë, do t’i përkrahim ata, por në këtë kohë po flitet për Kosovën”, ka thënë Mustafa.

Ai tutje ka thënë se Kosova kufijtë e saj i ka të vendosur me shpalljen e pavarsisë së Kosovës. .

"Po vëmë në tavolinë çështje të cilat ne i kemi përfundu. Ne e kemi shpallur pavarësinë e Kosovës dhe në nenin 7 me sa kujtoj i kemi përcaktuar edhe kufijtë e Kosovës. Kjo nuk do të thotë se ne tani nuk kemi interes për qytetarët e Preshevës. Ne vazhdimisht i përkrahim ata dhe do të i përkrahim në të gjitha proceset por tani ne jemi duke menduar në interes të Kosovës", ka përfunduar ai. 

 LEXO EDHE: Mustafa: Nuk e sanksionojmë fjalorin e Hazirit ndaj Osmanit

Më tej, ai ka thënë se debatet në mes të anëtarëve të LDK-së, si ai i nënkryetarit Lutfi Haziri dhe deputetes Vjosa Osmani nuk ka domethënie për LDK-në.

“Këto debatet jashtë organeve tona si parti nuk kanë domethënie ose rëndësi për LDK, ata mund të komunikojnë, ne nuk mund t’i ndalim... Sa i përket protestave, kur të vlerësojmë se duhet të kemi protesta i organizojmë dhe bashkëpunoj me të tjerët, por tani nuk vlerësojmë se duhet të protestojmë, kemi instrumente tjera”, ka shtuar Mustafa./zeri