Veseli flet për median serbe, tregon rezultatet e dialogut mes dy vendeve

Aktuale September 17, 2018 - 16:12
Lexo detajet

Në një intervistë për gazetën serbe Telegraf, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se liderët në Serbi po e vazhdojnë retorikën e urrejtjes dhe po glorifikojnë kriminelë siç është Slobodan Millosheviq. Kjo, ka thënë ai, nuk i ndihmon së ardhmes.

Veseli ka deklaruar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me integritet territorial të pacenueshëm, dhe se kështu do të mbetet përherë, transmeton Gazetametro.net.

Veseli thotë se dialogu mes palëve me një zgjidhje që i hap rrugë njohjes së ndërsjellë, dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, BE dhe NATO është zgjidhja e vetme.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se gjuha dhe metodat e ndryshme manipuluese nuk iu ndihmojnë as serbëve në Kosovë, për të cilët tha se nuk kanë asnjë problem me shqiptarët dhe me institucionet vendëse. 

LEXO EDHE: Publikimi i emrave të veteranëve të rrejshëm, shkelje e të drejtave të njeriut

Madje ai ka përmendur se në fshatrat dhe qytete ku banojnë serbë ka pasur investime në infrastrukturë e shumëçka tjetër. Serbia, ndërkaq ka deklaruar Veseli, investon në Kosovë në struktura paralele dhe në grupe të caktuara që nuk ju ndihmojnë qytetarëve.

Në intervistën e tyre, telegrafi e quan Veselin njëri të Amerikës dhe liderin kryesor të Kosovës, pa të cilin nuk merren vendime. Veseli thotë se ai është krenar që personalisht ai dhe populli i Kosovës ka miqësi me SHBA-të.

Në këtë intervistë, Veseli është pyetur edhe për raportimet e mediave serbe për të. Para dy dite, mediat e dirigjuara nga presidenti Vuçiq thanë se Veseli ka informacione për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Këto raportime Veseli i ka quajtur si propagandë e logjikës së Millosheviqit dhe tendencë për të dëmtuar procesin e hetimeve që po kryhet nga institucionet e sigurisë dhe prokurorisë në Kosovë.