Ja kur pritet përfundimisht kosovarët të lëvizin pa viza drejt Evropës

Aktuale September 17, 2018 - 10:17
Lexoni më shumë detaje

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, ka thënë se vendimi i Këshillit të Ministrave i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave pritet të merret para datës 20 dhjetor të këtij viti.

Qorrolli në një intervistë për gazetën Zërika thënë se sipas dinamikës së vendimmarrjes brenda institucioneve të BE-së dhe të procedurave të mbetura udhëtimi i lirë i kosovarëve në drejtim të Shengenit do të bëhet në çerekun e parë të vitit 2019, respektivisht jo më herët se muaji janar dhe jo më vonë se muaji qershor i vitit të ardhshëm.

LEXO EDHE: Qorrolli: Vendimi për vizat, para 20 dhjetorit

Qorroli po ashtu ka thënë se Kosova edhe më tutje duhet të vazhdojë fushatën e saj të lobimit në shtetet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, por që sipas tij, lobimi duhet të bëhet edhe në shtetet që e kanë njohur shtetin tonë.

Zëri: Kur prisni që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm?

Qorrolli: Sipas kësaj dinamike dhe procedurave të mbetura, udhëtimi i lirë i kosovarëve në drejtim të Shengenit do të bëhet në çerekun e parë të vitit 2019, respektivisht jo më herët se muaji janar dhe jo më vonë se muaji qershor i vitit të ardhshëm. Ky është një parashikim i bazuar tërësisht në procedurat e institucioneve të BE-së dhe e praktikave të ndjekura nga Këshilli me shtetet e tjera të liberalizuara. Çdo optimizëm tjetër që vizat do të hiqen më shpejt paraqet një utopi.

Zëri: Çfarë duhet të bëjë Kosova gjatë kësaj kohe, a mendoni se është duke u lobuar mjaftueshëm te shtetet anëtare?

Qorrolli: Duke qenë se vendimmarrja në BE tani është në duar të shteteve anëtare, atëherë natyrshëm pritet që të ketë edhe pozicione pro dhe kundër udhëtimit pa viza për kosovarët. Fatkeqësisht një numër shtetesh, të cilat edhe e njohin Republikën e Kosovës, si Franca ose Holanda, kanë paraqitur mosbesimin e tyre për këtë gjë. Dhe kjo u vërtetua me rastin e votimit në Parlamentin Evropian, kur eurodeputetë nga këto shtete votuan kundër këtij liberalizimi. Pra, përveç shteteve mosnjohëse të Kosovës, si Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja, tani kemi edhe shtete njohëse të cilat janë rreshtuar në mënyrë kritike kundër Kosovës. Pres që të ketë edhe ndonjë skeptik tjetër që mund ta lidhë procesin e liberalizimit të vizave me fatin e pasigurt të dialogut politik midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me problemet e brendshme të Kosovës në fushën e drejtësisë. Pra, përgjithësisht të paraqesin dilema për atë që njihet si sundim i së drejtës, ku dihet botërisht se Kosova çalon jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim dhe ka ndërhyrje të pushteteve të tjera në sistemin gjyqësor dhe në atë prokurorial.