Kosova, kundër ndërkombëtarëve

Aktuale September 17, 2018 - 07:51
Mësoni më shumë detaje
Image

Institucionet e Kosovës gjatë javëve të fundit kanë ndërmarrë iniciativa të njëanshme dhe pa mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, madje iniciativat e tilla si ajo e Qeverisë për formimin e ushtrisë pa e ndryshuar Kushtetutën, si dhe kërkesa e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë kanë nxitur reagime nga SHBA-ja, Gjermania, Britania e madje edhe nga NATO-ja. Vlerësohet se me veprime të tilla të njëanshme Kosova po rrezikon humbjen e mbështetjes ndërkombëtare, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Votimi i Pakos së Ligjeve për Ushtrinë nga Qeveria e Kosovës, si dhe ideja e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve” me shtetin serb kanë ngjallur kundërshtimin e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

Sipas ndërkombëtarëve, iniciativat e tilla janë të ngutshme dhe me pasoja për vendin, shkruan më tutje "Zëri".

Pavarësisht kësaj liderët e institucioneve të vendit vazhdojnë t’i qëndrojnë pas veprimeve të tyre, duke thënë që për këto tema e kanë edhe përkrahjen e ndërkombëtarëve.

Ndërkohë përfaqësues të partive opozitare në vend konsiderojnë që keqqeverisja e shtetit të Kosovës për 18 vjet ka bërë që edhe aleatët ndërkombëtarë të ndërrojnë qasje për shtetin e Kosovës.

Në anën tjetër njohës të çështjeve politike në vend thonë që nuk duhet assesi të shpërfillen zërat e aleatëve ndërkombëtarë, për shkak se nëse vazhdohet me iniciativa të tilla pa koordinimin e tyre, atëherë shteti i Kosovës rrezikon të humbë mbështetjen.

Sejdiu: Keqqeverisja për 18 vjet ka ndikuar që ndërkombëtarët të ndërrojnë qasje

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, duke folur për marrëdhëniet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë për “Zërin” ka thënë që ato varen nga keqqeverisja e shtetit të Kosovës për tashmë 18 vjet.

“Ne si PSD kemi dhënë qëndrimet tona sa i përket të formimit të ushtrisë dhe korrigjimit të kufijve. Mendoj që përkrahja e miqve tanë ndërkombëtarë karshi Kosovës nuk ndërlidhet vetëm me këto veprime, por ndërlidhet edhe me keqqeverisjen e 18 vjetëve të fundit”, ka thënë Sejdiu.

Sipas Sejdiut, për shkak të problemeve të tjera që ka Kosova siç janë moszhvillimi ekonomik, mosluftimi i korrupsionit e i krimit të organizuar kanë bërë që miqtë tanë ndërkombëtarë të jenë më pak të durueshëm karshi kësaj Qeverie dhe çdo qeverie deri më tani.

“Mendoj që miqtë tanë ndërkombëtarë çdo ditë po na bëjnë me dije se kjo është shtëpia jonë dhe ne duhet të kujdesemi për të e ata nuk janë të interesuar të jenë ‘dado’ të Kosovës, por e duan një mik i cili është i gatshëm të qëndrojë në këmbët e veta dhe i cili është i gatshëm të marrë vendime racionale e të duhura”, ka thënë ai.

Sejdiu mes tjerash ka thënë që procesi i formimit të ushtrisë është proces i vonuar, por që duhet të bëhet edhe në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.

“Sa i përket PSD-së transformimi i FSK-së në ushtri është i vonuar dhe rruga përpara gjithsesi se duhet të bëhet me miqtë ndërkombëtarë. Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet të shndërrohen në ushtri dhe kështu në bëhemi faktorë stabiliteti e pse jo edhe ndihmës aty ku duhet për miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka thënë mes tjerash ai.

Kurteshi: Kosova duhet të koordinohet vazhdimisht me ndërkombëtarët

Në anën tjetër deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë për “Zërin” që institucionet e vendit duhet vazhdimisht të koordinohen me aleatët ndërkombëtarë për çështje të rëndësishme të vendit, duke përfshirë edhe formimin e ushtrisë dhe çështjen e kufijve me Serbinë.

“Institucionet e Kosovës duhet t’u prijnë gjërave dhe duhet të koordinohen me ndërkombëtarët e të mundohen që t’i bindin ata që Kosova në një Ballkan të trazuar duhet të ketë ushtri për shkak të sigurisë në vend”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se “Bashkësia ndërkombëtare duhet të bindet për këtë çështje”.

Sipas Kurteshit, shteti i Kosovës nuk mund të funksionojë pa ushtri.

“Po ashtu duhet të binden edhe miqtë tanë ndërkombëtarë se Serbia kurrë nuk do të pajtohet që Kosova të ketë ushtri, por shteti i Kosovës nuk mund të ekzistojë pa ushtri. Pra ne duhet të koordinohemi me ndërkombëtarët që t’i shtyjmë proceset përpara”, ka theksuar ai.

Selmanaj: E kemi përkrahjen e ndërkombëtarëve për formimin e ushtrisë

Ndërkohë deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj, ka thënë për “Zërin” që “korrigjimi i kufijve” vazhdon të kundërshtohet nga partia e tij.  

“Sa i përket ‘korrigjimit të kufijve’ qëndrimi i AAK-së dihet, ne jemi kundër sepse territori i Kosovës është i panegociueshëm dhe hapja e temave të tilla nuk është në të mirë të Kosovës”, ka thënë Selmanaj.

Ndërkohë i pyetur për deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë pas vendimit të Qeverisë për formimin e ushtrisë, Selmanaj ka thënë që megjithatë ata kanë përkrahjen e miqve ndërkombëtarë.

“Formimi i ushtrisë është agjendë shtetërore që duhet të ecë përpara dhe jam shumë i bindur se në këtë proces kemi përkrahjen edhe të SHBA-së, por edhe të miqve tjerë ndërkombëtarë. Ata në vazhdimi kanë punuar dhe po punojnë që Kosova të ketë siguri dhe nuk mund të paramendohet një shtet pa ushtri, prandaj si proces formimi i ushtrisë është i pandalshëm dhe ne jemi të interesuar që të marrim përkrahjen e SHBA-së, përkrahje kjo që unë besoj se tashmë e kemi”, ka thënë Selmanaj.

Nuk duhet të shpërfillen zërat e aleatëve ndërkombëtarë

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, konsideron që shpërfillja e zërave të aleatëve ndërkombëtarë, siç janë SHBA-ja, Gjermania e Britania, e dëmton shtetin e Kosovës.

“Nuk është rregull të neglizhohen zërat e miqve tanë që kanë dhënë përkrahje të rëndësishme për Kosovën, siç është Britania e Madhe, Gjermania dhe SHBA-ja, të cilat janë pro nesh që të gjendet një zgjidhje. Kosova duhet pasur kujdes që të mos ketë nxitime, as për korrigjim të territoreve, as për ndryshim të kufijve, as për Asociacionin e Komunave Serbe, sepse këto nuk i duhen Kosovës dhe nuk i bëjnë mirë stabilitetit në rajon”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, e vetmja gjë që i nevojitet Kosovës është që të punojë më shumë me komunitetet në vend.

Ndërsa duke folur për idenë e presidentit Thaçi për “korrigjim të kufijve” Baraliu ka thënë që është ide e nxituar dhe e pakoordinuar me pjesëmarrësit politikë në vend.

“Sa i përket korrigjimit të kufijve unë mendoj se janë ide të nxituara dhe të pakoordinuara me segmentet institucionale në Kosovë, veçanërisht të pakoordinuara në mes të pozitës dhe të opozitës në Parlament dhe vetë Qeverisë sepse jo vetëm opozita që është kundër ideve të tilla, por edhe brenda pozitës ka zëra që e kundërshtojnë këtë proces”, ka theksuar ai.

Baraliu konsideron që bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta pengojë shtetin e Kosovës në formimin e ushtrisë, pasi kjo është nevojë urgjente e shtetit të Kosovës.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta orientojë tehun e veprimit në mënyrë korrekte dhe të baraspeshuar si ndaj Kosovës, edhe ndaj Serbisë, e cila e kundërshton me çdo kusht formimin e ushtrisë së Kosovës. Pritja e mëtutjeshme dhe stërzgjatja e këtij procesi është i dëmshëm jo vetëm për Kosovën dhe për FSK-në, por edhe për paqen e stabilitetin në Ballkan. Kjo çështje është padrejtësisht e penguar dhe faktori i jashtëm duhet ta kuptojë që meqë nuk ka mundësi që përmes Kushtetutës të bëhet ushtria, atëherë duhet të gjendet një mënyrë tjetër”, ka thënë tutje ai.