Lista Serbe: Pa pëlqimin tonë s'mund të shndërrohet FSK-ja në ushtri

Aktuale September 14, 2018 - 10:58
Lexo detajet

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se tentimi i Qeverisë Haradinaj për themelimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës po bëhet për të nxitur tensione pas vizitës së Vuçiqit në Kosovë.

Sipas tij, një gjë e tillë po bëhet edhe për të tërhequr vëmendjen nga dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

"Pa pëlqimin e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe pa ndryshime të Kushtetutës, është e pamundur të transformohet FSK-ja në ushtri”, ka thënë Simiq sot për TV Pink, transmeton Gazeta Express.

Kujtojmë se dje Qeveria Haradinaj ka miratuar në Qeveri tri projektligje për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Republikës së Kosovës.

Një gjë e tillë fillimisht u kundërshtua nga presidenti Hashim Thaçi, i cili më pas ndryshoi qëndrim.

Ndërkohë lidhur me këtë veprim të Qeverisë Haradinaj ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ku kanë deklaruar se Haradinaj nuk është konsultuar me ta sa i përket formimit të ushtrisë.

Një lëvizje e tillë e Haradinajt ka ngjallur reagime të ashpra në Serbi.