Mungesa e kuorumit i ndjek seancat e Kuvendit

Aktuale September 14, 2018 - 08:02
Lexo detajet
Image

Pas dështimit të dy seancave të jashtëzakonshme gjatë javës së kaluar, dje Kuvendi i Kosovës i është kthyer seancave të rregullta, megjithatë edhe kjo seancë ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit. Në rend dite të kësaj seance kanë qenë plot dyzet pika, të cilat kanë mbetur nga seancat e sesionit pranveror. Por asnjë nga këto pika nuk arritën të votohen as në seancën që filloi dje e që do të vazhdojë sot nga orën 11:00, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Me të filluar seanca Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në shenjë pakënaqësie për mosmbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun Kosovë - Serbi e bojkotuan punën e Kuvendit.

LEXO EDHE: Ushtria përmes ligjit, kundërshton SHBA-ja

Kësaj iniciative nuk i janë bashkuar Partia Socialdemokrate (PSD) dhe Alternativa për Kosovën, të cilat konsideruan se është e rëndësishme të qëndrojnë në seancë dhe të presin pikën e 6-të të rendit të ditës, e cila ishte votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë.

Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që të lihen anash inatet politike dhe të bëhet një rezolutë më gjithëpërfshirëse për dialogun.

LDK-ja dhe LVV-ja bojkotojnë seancën, kërkojnë debat për dialogun

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Avdullah Hoti, ka kërkuar së pari të mbahet seanca e jashtëzakonshme për dialogun Kosovë - Serbi.

“Opozita ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme që çështja e kufirit të mos bisedohet në dialogun me Serbinë, sepse kjo do të përbente zhbërje të shtetit të Kosovës. Ne vlerësojmë se veprimet e presidentit janë kundërkushtetuese, këtë vlerësim e kanë shfaqur edhe grupet parlamentare të koalicionit qeverisës. Unë ju ftoj që të mbahet seanca e jashtëzakonshme për rezolutën e opozitës për dialogun. Ne nuk do të marrim pjesë në këtë seancë të rregullt pa u kryer seanca e thirrur nga opozita”, ka thënë Hoti.

Ftesës së LDK-së për bojkotimin e seancës së rregullt të Kuvendit i është përgjigjur pozitivisht edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se primare është miratimi i rezolutës për dialogun, përndryshe partia e tij nuk do të marrë pjesë.

“Sa i përket bojkotit të seancës së opozitës kjo nuk ndodh askund, për nga definicioni gjithmonë opozita ka më pak numra. Nëse ju doni me inati ne vërtet nuk mund të mbajmë asnjë seancë, por kjo është vdekje e demokracisë, kjo është varrosje e demokracisë. Ne nuk vijmë në seancën tuaj për t’u nënshtruar, nuk do ta shihni atë film. Unë mendoj që më së miri është të mbahet seancë për miratimin e rezolutës së opozitës, vetëm në këto kushte pajtohemi”, ka thënë ai.

PDK-ja kërkon harmonizim të rezolutës së opozitës

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përmendur dështimin e dy seancave të javës së kaluar të cilat ishin të pasuksesshme edhe për koalicionin qeverisës, edhe për opozitën.

“Jemi në situatë ku për fat të keq bojkotimi nga opozita na ka sjellë në një momentum që s’po mund të ulemi të bisedojmë për dialogun Kosovë – Serbi dhe për pikat e rëndësishme: për platformën, për ekipin dhe për vijat e kuqe që Kosova në dialog nuk duhet t’i diskutojë. Asnjë rezolutë nuk mund të jetë më e fortë se Kushtetuta, por jemi të interesuar ta bëjmë një rezolutë përmes Kuvendit”, ka thënë ai.

Krasniqi u bëri thirrje opozitarëve që t’i lënë anash inatet dhe të dakordohen për një seancë të përbashkët, në të cilën do të hidheshin në votim të dy rezolutat.

Në anën tjetër Dardan Molliqaj në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate ka kritikuar pushtetin për qasjen e tij karshi dialogut, duke thënë që edhe kryeparlamentari, por edhe kryeministri duhet të mbajnë përgjegjësi për mosmbajtjen e seancës për dialogun.

“Edhe temat, edhe procesin e keni nisur me arrogancë dhe nuk keni pasur platformë. Kryetari i Kuvendit duhet të mbajë përgjegjësi që nuk e ka thirrur seancën e kërkuar nga ne, edhe kryeministri ka ndërhyrë duke e thirrur seancën e tij. Nuk mund të shkojmë më gjerë pa një konsensus mbi platformën. Sot do të duhej të ishte seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita”, ka thënë ai.

Molliqaj ka kërkuar nga pjesa e opozitës, që e lëshuan sallën e Kuvendit, të kthehen në kohën kur kërkohet të miratohet rezoluta për dialogun Kosovë - Serbi.