Ish-këshilltari i Obamas flet për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Aktuale September 13, 2018 - 23:08
Lexo detajet

Charles Kupchan, ish-këshilltari i lartë i presidentit të 44-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Barack Obama, shprehet se ideja e shëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është gjëja e duhur për t’u bërë me qëllim arritjen e marrëveshjes mes dy shteteve ballkanike.

Në një opinion të shkruar, e të publikuar në gazetën prestigjoze amerikane New York Times, Charles Kupchan deklaron se pavarësisht që “ky shkëmbim [i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, v.j] është në mënyrë efektive një formë paqësore e spastrimit etnik, megjithatë është gjëja e duhur për t’u bërë”.

“Qeveria Serbe do të kalojë nëpër një periudhë të vështirë për të dhënë njohjen e pavarësisë së Kosovës, pavarësisht gjithçkaje; toka [e Kosovës, v.j] ka rëndësi historike dhe kulturore për serbët”, shkruan Kupchan.

“Por nëse alternativa e propozuar [e shkëmbimit të territoreve, v.j] ofron një mënyrë për të shpëtuar fytyrën për Serbinë dhe për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, kosovarët dhe mbështetësit e tyre ndërkombëtarë duhet ta kapin këtë mundësi”, shkruan Charles Kupchan në opinionin e tij, të publikuar në New York Times.

Kupchan thotë se nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi arrijnë një marrëveshje përmes shkëmbimit të territoreve, SHBA-të dhe partnerët e saj ndërkombëtar duhet t’i japin dritë të gjelbër marrëveshjes.

Kupchan, përveç se ka qenë këshilltar i lartë për siguri i Barack Obamas, ishte pjesë përbërëse e Këshillit Kombëtar për Siguri në Administratën e Presidentit Obama.