Thaçi e Haradinaj, të pakoordinuar për ushtrinë

Aktuale September 13, 2018 - 12:08
Lexoni më shumë detaje

Ndonëse gjatë ditës së sotme qeveria ka votuar projektligjin për ushtrinë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka qenë i pajtimit me vendimin e ndërmarrë, raporton zeri.info.

LEXO EDHE: Pas votimit të projektligjit për ushtrinë, deklarohet Haradinaj

Përkundrazi, kreu i shtetit është shprehur kundër vendimit të Haradinajt për të lëvizur drejt bërjes së ushtrisë, pasi sipas tij, aktualisht nuk është momenti i duhur për ta bërë një gjë të tillë.

“Tani rrethanat janë ndryshe. Ne kemi filluar tash e një kohë, pas iniciativës sime, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare një proces të vetëdijesimit dhe kemi arritur në një fazë shumë të rëndësishme të koordinimit sepse kur themelohen Forcat e Armatosura të Kosovës, duhet të jenë të mirëpritura, një proces i hapur, i sigurt për partneritetin për paqe dhe NATO-n, dhe jo ndonjë veprim kokë në vete, i cili lëndon rëndë misionin shumetnik të Forcave të Armatosura të Kosovës. Kështu që, një veprim i njëanshëm e çon në izolim”, ka deklaruar Thaçi gjatë një konference të mbajtur sot, raporton "Zeri.info".

Një veprim i koordinuar sipas tij, i hapë rrugë të sigurt zhvillimit, forcimit, lëvizjes kah partneriteti për paqe dhe pastaj edhe në NATO.

LEXO EDHE: Thaçi: Ushtria bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë

Pavarësisht se para se të votohej ky projektligj Thaçi u shpreh i painformuar mbi këtë çështje kur u pyet nga gazetarët, Haradinaj tha se Kosova është e vogël për t’u mos u dëgjuar lajmet e tilla.

“Nuk është Kosova aq e madhe sa mos ta dimë se çka po ndodhë”, tha ai kur u pyet për mosinformimin e kreut të shtetit.

Më tej, Haradinaj deklaroi se disa vendime (si ai i sotit për ushtrinë) i takojnë Kosovës.

“Procesi i tillë i punës vazhdon në çdo etapë. Çdoherë do të konsultohemi me të gjithë, disa vendime janë tonat, janë të Kosovës, i kemi në kuadër të kompetencave tona”, theksoi shefi i ekzekutivit.

Ndërkohë, iniciativa për bërjen e ushtrisë nga krerët institucionalë ishin ndërmarrë disa herë në të kaluarën, por të gjitha ato kishin dështuar. /Zeri/