O'Connell Kurtit: Mbretëria e Bashkuar kundër ndryshimit të kufijve

Aktuale September 13, 2018 - 11:52
Lexoni më shumë detaje

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O'Connell, është takuar sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, raporton “Zeri.info”.

Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë takim Kurti dhe ambasadori O'Connell kanë biseduar për situatën aktuale të vendit, e me theks të veçantë për ndryshimin e kufijve.

Në këtë takim ambasadori O'Connell i ka thënë Kurtit se Mbretëria e Bashkuar është kundër ndryshimit të kufijve. /ZËRI/

Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje pa ndërhyrje:

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, bashkë me deputeten, Fitore Pacolli, dhe koordinatoren e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, Nora Fetoshi, vizituan Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar ku u pritën nga Ambasadori Ruairi O'Connell dhe Sekretari i dytë politik Sam Paice.

Në takim u diskutua për situatën politike me fokus të veçantë rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe deklarimet e fundit rreth "korrigjimit të kufijve" dhe "kompromisit të dhimbshëm".

Kryetari Kurti shprehu qëndrimin e Lëvizjes kundër lojërave të dëmshme të Presidentit Thaçi i cili po i mashtron edhe qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit përveçse ata të Kosovës, dhe po e relativizon shtetësinë e sovranitetin, integritetin territorial e institucional të Republikës sonë. Kryetari Kurti theksoi se ky President nuk ka mandat për çfarë po flet e bën. Dhe, ai nuk ka as parime dhe platformë.

Rruga e duhur përpara nuk është shkëmbimi territorial por reciprociteti i të drejtave, tha kryetari Kurti. Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën e saj, shtoi Kurti.

Ambasadori O’Connell tha se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur dhe ka qëndrim të qartë rreth pavarësisë e sovranitetit të Kosovës dhe se çdo lëvizje për ndryshim të kufijve është e rrezikshme jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin.

Ai u shpreh kundër logjikës “ndarje ose konflikt”.

Në këtë takim u diskutua edhe për nevojën për luftim të krimit të lartë e korrupsionit të organizuar si parakusht për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.

Image