Thaçi: Marrëveshja finale me Serbinë do të hidhet në referendum

Aktuale September 13, 2018 - 10:52
Lexoni më shumë detaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur edhe njëherë se marrëveshja finale Kosovë-Serbi do të hidhet në referendum, raporton zeri.info.

Me këtë rast, kreu i shtetit ka thënë se partitë politike nuk mund ta bllokojnë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Nuk do të munden partitë politike ta bllokojnë sepse do të organizojmë referendum”, ka theksuar kreu i shtetit.

Gjatë një konference për media, Thaçi është zotuar se nuk do të lejojë ndarje të Kosovës, e as Asociacion me kompetenca ekzekutive.

“E ritheksoj se nuk do të lejoj ndarje të Kosovës, nuk do te lejoj krijimin e një asociacioni me kompetenca ekzekutive. Nuk lejoj shkëmbim. Unë jam në favor të bashkimit të Luginës, e mbështes fuqishëm. Nuk lejoj që dikush të diskutojë për Gazivodën, Trepçën”, potencoi tutje.

I pyetur se çka atëherë do të përfitojë Serbia, Thaçi tha se nuk është i fokusuar te kjo.

“Nuk është e rëndësishme se çka fiton Serbia, mos u shqetësoni çka fiton Serbia. Jam i fokusuar se çka fiton Kosova”, nënvizoi ai./Zeri