Financuesit e partive u shpërblyen me 220 milionë euro përmes tenderëve

Aktuale September 13, 2018 - 08:42
Lexoni më shumë detaje

Image

 

Mënyra e financimit të partive politike në Kosovë që nga krijimi i institucioneve është përcjellë me probleme dhe me defekte të shumta, të cilat kanë bërë që ky proces të mbetet i pakontrolluar dhe i pamenaxhuar siç duhet. Kështu u tha në konferencën e mbajtur nga organizata “Çohu” gjatë ditës së djeshme.

Madje sipas një hulumtimi të kësaj organizate 35 kompani që kanë financuar partitë politike gjatë viteve 2009-2012 kanë marrë rreth 173 milionë euro përmes 147 tenderëve publikë, në total donatorët e partive politike përfituan 220 milionë euro përmes 440 tenderëve publikë.

Drejtori i kësaj organizate, Arton Demhasaj, prezantoi të gjeturat e hulumtimit të tyre, nga i cili vë në pah se ekzistojnë zbrazëtira juridike që e bëjnë të pasuksesshëm rregullimin e financimit të partive politike.

“Financimi edhe pse i rregulluar me ligjin e vitit 2010, i ndryshuar dhe i plotësuar në vitin 2012 dhe 2013, tregon shumë probleme dhe zbrazëtira juridike që po e bëjnë këtë ligj të paimplementueshëm dhe të pasuksesshëm në rregullimin e financimit të partive politike. Gjatë hulumtimeve të mëhershme të organizatës “Çohu” kemi gjetur se kjo mënyrë e rregullimit të financimit të subjekteve politike ka krijuar hapësirë për krijimin e raporteve klienteliste në mes subjekteve politike dhe bizneseve”, ka thënë ai, shkruan më tutje "Zëri".

Po ashtu “Çohu” ka vlerësuar se një e metë tjetër e financimit të fushatave zgjedhore është mungesa e transparencës për financimin e kandidatëve.

“Një e metë tjetër, e cila nuk është trajtuar deri më tani, është edhe mungesa e transparencës së burimeve dhe shpenzimeve në fushata zgjedhore nga kandidatët. Gjatë fushatave zgjedhore kandidatët e partive politike zakonisht realizojnë fushata individuale me shpenzime shumë të mëdha, të cilat asnjëherë nuk i deklarojnë. “Çohu” konsideron që shpenzimet individuale të kandidatëve duhet të deklarohen në pasqyrat financiare të subjekteve politike”, ka thënë ai.

Përveç kësaj, Demhasaj prezantoi edhe videografikën e hulumtimit, nga e cila del se në Kosovë lidhja klienteliste biznes-parti politike është shumë e lartë dhe efekti më i madh i kësaj lidhjeje vërehet te tenderët publikë.

“Subjektet më të mëdha politike në Kosovë gjatë viteve 2009-2012 kanë pasur të hyra mbi 21 milionë euro nga tri burime të ndryshme. Vetëm nga donacionet e jashtme subjektet politike kanë pranuar 2 milionë euro, të cilat janë donacione nga persona fizikë dhe juridikë. Disa financues të partive politike në Kosovë kanë përfituar shuma të mëdha parash nga tenderët publikë, 35 kompani që kanë financuar partitë politike gjatë viteve 2009-2012 kanë marrë rreth 173 milionë euro përmes 147 tenderëve publikë, në total donatorët e partive politike përfituan 220 milionë euro përmes 440 tenderëve publikë”, thuhet ndër të tjera në hulumtimin e “Çohu”.

Më tutje Demhasaj ka thënë se kjo lidhje klienteliste është e rrezikshme për ekonomitë e vogla në Kosovë dhe si e tillë duhet të ndalohet.

“Këtë lidhje klienteliste ne si organizatë e konsiderojmë të rrezikshme, sepse disa bizneseve përmes dhënies së parave për partitë politike dhe marrjes së tenderëve me shuma të mëdha kanë arritur të krijojnë një lloj monopoli dhe kapital të madh, duke paraqitur problem te bizneset e reja që duan të hyjnë në treg, t’u bëjnë konkurrencë bizneseve që konsiderohen që janë të afërta me partitë politike. Rekomandimi ynë për ndryshimet ligjore të cilat janë duke u bërë në nivel të Qeverisë është që të ndalohet me ligj mundësia e financimit të subjekteve politike nga ana e donacioneve të jashtme, qoftë përmes bizneseve, qoftë përmes personave fizikë të cilët kanë biznese”, ka theksuar Demhasaj.