Krasniqi: Loja me kufij, punë me rreziqe të mëdha

Aktuale September 13, 2018 - 08:06
Lexoni më shumë detaje

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka vlerësuar se loja me kufij kudo është punë me rreziqe të mëdha dhe shembulli më i mirë për ketë është historia e afër dhe e largët e Ballkanit.

“Kosova i kishte kufijtë e saj edhe në kuadrin e Jugosllavisë Federative të konfirmuar edhe në Kushtetutën e vitit 1974”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i Krasniqit në Facebook: 

VEÇ A KA GATISHMËRI NË BOTËN EUROATLANTIKE PËR KRIJIMIN E SHTETEVE ETNIKE NË BALLKAN

Ne jemi të bindur se loja me kufij kudo është punë me rreziqe të mëdha, shembull më të mirë për ketë është historia e afër dhe e largët e Ballkanit.

Ne, shqiptarët kur e kemi nisur luftën çlirimtare në Kosovë, nuk e kemi filluar vetëm në kufijtë e Kosovës dhe ketë e dinë mirë që të tre të parët e institucioneve të shtetit tonë. Natyrisht, kjo nuk ka qenë vetëm vullnet i tyre, se vullneti i tyre po shihet, por ka qenë vullnet dhe aspiratë shekullore e kombit tonë.

Vetëm në nëntor të vitit 1998, në dhjetë ditshin e dytë, në mbledhjen disa ditësh të SHP të UÇCK-së, për shkak të kërkesave të miqve (veçmas të SHBA-së), gjithë riorganizimin e UÇK-së e kemi bërë në kufijtë ekzistues të Kosovës, në kufijtë që edhe është shpallur pavarësia e saj më 17 shkurt 2008. Kjo tërheqje është bërë për faktin se nuk mund të ndryshoheshin kufijtë në baza etnike. Kosova i kishte kufijtë e saj edhe në kuadrin e Jugosllavisë Federative të konfirmuar edhe në Kushtetutën e vitit 1974. 

E tregova ketë për të konfirmuar se në Ballkan dhe në Evropë, nëse dikujt i konvenon krijimi i kufijve mbi baza etnike, askujt tjetër nuk i konvenon më shumë se shqiptarëve të cilët gjinden të shpërndarë në shumë shtete të Ballkanit, por ne nuk e shohim që për ketë ka gatishmëri në Evropë. Madje kjo gatishmëri nuk shihet as të lojtari kontrovers i idesë për korrigjimin e kufijve. Në ketë rast nuk është duke u mbrojtur Kosova dhe as interesat e shqiptarëve në Kosovën Lindore. 

Për ketë jam më se i bindur. Por, për ketë duhet të binden shqiptarët në përgjithësi e ata të Kosovës Lindore në veçanti. I shkrova këto pak fjalë për tri arsyeje:

E para, me vije keq prej gjithë shqiptarëve të Kosovës që kanë flijuar shumë për këtë liri që e kemi arritur. 

Se dyti, me vije keq për gjithë përpjekjet e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim e sidomos për shokët e mi të ideales të këtyre 50 vjetëve të fundit që janë shpërndarë si zogjtë e qyqes dhe ketë nuk e bënë për interesin e atdheut. Dhe Se treti, me vije shumë, shumë keq për gjithë anëtarët e SHP të UÇK-së ( e shtabit të zgjeruar), për devijimet e mëdha që ia bënë dhe po ia bëjnë idealeve të shumë brezave dhe brezit të UÇK-së që për liri e atdhe sakrifikuan më se shumti. 

Vetëm në luftën e fundit, për Kosovën u flijuan mbi 13.000 shqiptarë! Dhe të gjithë se bashku po bëjmë sehire para një mashtrimi të madh që vije nga një mashtrues i zhdërvjellët vetëm për prapësi! Shkurt, shqiptarët nuk e kanë asnjë arsyeje që t’i frikësohen ndryshimeve mbi baza etnike në Ballkan. Por a është e sa është e mundur kjo? Kjo është çështje tjetër e cila gjithsesi e kërkon përgjigjën e duhur e të peshuar mirë e mirë! Ecja pas pehlivanit, veç e veç a se bashku, kombin e çon në theqafje!