LDK-ja nis ''luftën'' para zgjedhjeve

Aktuale September 13, 2018 - 08:00
Lexoni më shumë detaje
Image

Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po rriten sa më shumë që po u afrohemi zgjedhjeve që kjo parti duhet t’i mbajë në vitin e ardhshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në dy ditët e fundit pjesë e konfrontimeve është bërë edhe nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri, si dhe deputetja Vjosa Osmani.

Këtë herë “mollë sherri” në mes të përfaqësuesve të LDK-së ka qenë ideja për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Dalja e deputetes Osmani kundër shkëmbit të veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës e ka nxitur Hazirin që ta sulmojë atë përmes një shkrimi në rrjetet sociale.

LEXO EDHE: Kuvendi s’i legjitimon negociatorët

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet mend te Boletini i Kosovës, duke e harruar vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi”, ka shkruar Haziri, shkruan më tutje "Zëri".

Ndaj këtij shkrimi ka reaguar deputetja e LDK-së, duke thënë se para se të jetë nuse e Luginës është bijë e Mitrovicës.

“Para se të jem nuse e Preshevës unë jam bijë e Mitrovicës. Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do t’u thosha marre ju qoftë, por kurrë në jetën e tyre nuk kanë pasur as marre e as fytyrë”, ishte kundërpërgjigja e Osmanit ndaj Hazirit.

Osmani po ashtu ka thënë edhe se qëndrimet e saj janë qëndrime të LDK-së dhe që mbrojnë shqiptarët e Luginës nga gënjeshtrat e Hazirit dhe të Hashim Thaçit.

“Askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e mia, sepse ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, të Kushtetutës e të Deklaratës së Pavarësisë, të paqes dhe të sigurisë në rajon e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këto qëndrime nuk janë vetëm të miat, të Armend Zemajt e të Haxhi Avdylit, por janë të Kryesisë së LDK-së, të degëve të LDK-së dhe të të gjithë Grupit Parlamentar të LDK-së”, ka shkruar Osmani

Haziri: Përplasja me Osmanin nuk ka të bëjë me zgjedhjet në LDK

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, duke folur për mediet në vend, ka thënë që janë të papranueshme portretizimet që ia kanë bërë mediet këtij debati, duke e quajtur atë si luftë të brendshme të LDK-së.                                                                                                         

Haziri thotë se nuk ka kurrfarë lufte të brendshme në LDK, por ka vetëm mendime shpeshherë të ndryshme karshi situatës politike në vend.

"Nuk ka asnjë lloj kandidature këtu. Nuk ka kurrfarë lufte të fshehtë, respektoj angazhimin politik të Vjosës, dallimet politike mund të jenë evidente, nuk ka të bëjë asgjë tjetër, ky është vetëm angazhim politik. Kjo nuk është hera e parë, unë edhe vitin e kaluar komunikime të tilla kam pasur për shembull me Ismet Beqirin. Ne nuk kemi të fshehur dhe nuk ka konspiracione politike këtu”, ka thënë ai.

E kritikës së Osmanit se “temën e ndarjes” po e ngjallin gënjeshtrat dhe mashtrimet e Hashimit bashkë me njerëzit që përkrahin ato ide Haziri i është përgjigjur se “është bërë popullore për ta sharë Thaçin dhe për të fituar në emër të tij”.

Tahiri: Përplasjet mund të kenë pasoja të rënda për LDK-në

Ndërsa politologu Ramush Tahiri konsideron që “përplasjet” e zyrtarëve të LDK-së mund të rriten.

“Prej fillimit të themelimit të LDK-së brenda kësaj partie ka pasur fraksione dhe gjithnjë ka pasur “luftë fraksionesh” e gjithmonë dikush ka fituar e dikush ka humbur. Nëse i shohim anëtarët e kësaj partie që nga data e themelimit e deri tani shumë pak kanë mbetur deri në ditën e sotme, jo vetëm për shkak të ndërrimit të gjeneratave, por edhe për mospajtimet që i kanë pasur ndërmjet vete anëtarët e kësaj partie”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, përplasjet brenda LDK-së mund të kenë pasoja për këtë parti.

“Në situatën e fundit është bërë një mospajtim ose konflikt mes Hazirit dhe gjeneratës së re për në LDK dhe se si do të zhvillohet nuk dihet,  por duke e marrë parasysh që lideri i kësaj partie Isa Mustafa nuk është në gjendje shëndetësore të mirë mund të ndodhë që kjo përçarje tash të shtrihet, por mund të ndodhë edhe që të ketë debat, por pa pasoja të mëdha”, theksoi Tahiri.

Alija: Përplasjet e LDK-së, strategji të protagonistëve për të fituar vota

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike të vendit Rasim Alija, duke i komentuar zhvillimet në partinë opozitare LDK, ka thënë për “Zërin” që përplasja e figurave kryesore të kësaj partie nënkupton që kjo situatë është krijuar si pasojë e zgjedhjeve të brendshme që priten të mbahen brenda LDK-së.

“Nuk është problem pasja e mendimit ndryshe brenda subjektit. Madje edhe nëse ato mendime çojnë deri në përplasje me akuza e kundërakuza kjo e ndihmon demokracinë e brendshme të subjekteve politike dhe e lejon mendimin ndryshe brenda subjektit. Ajo çfarë është problematike është arsyeja e përplasjes së figurave qendrore të LDK-së. Në masë të madhe këto përplasje janë strategji të vetë protagonistëve për t’u faktorizuar në prag të zgjedhjeve të brendshme të LDK-së, duke kalkuluar edhe votat e mundshme në elektorat që do të mundë t’i fitonin”, ka thënë ai.

Alija konsideron që sjellja e tillë e LDK-së tregon papërgjegjshmëri të këtij subjekti.

“Ajo çfarë do të duhej të merrte parasysh LDK-ja është që para opinionit të ketë qëndrime të qarta si subjekt politik, në veçanti për çështjet që kanë peshë të madhe nacionale. Është krejt sjellje jopolitike dhe e papërgjegjshme nëse opinioni nuk e di cili është qëndrimi zyrtar i LDK-së nëse brenda 24 orësh kemi qëndrime komplet të kundërta të figurave qendrore të subjektit”, ka theksuar ai.