Kuvendi s’i legjitimon negociatorët

Aktuale September 13, 2018 - 07:44
Lexoni më shumë detaje
Image

Ekipi dialogues qeveritar, të cilin e kryeson Fatmir Limaj, vështirë se do të arrijë të votohet në Kuvendin e Kosovës. Negociatorët nuk po pranohen as nga opozita, por as nga deputetët e Listës Serbe, të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Delegacioni i caktuar nga Qeveria e Kosovës për negociata me Serbinë, në kuadër të fazës finale të procesit të dialogut, është thuajse i pamundur të votohet nga Kuvendi i Kosovës.

Ky delegacion që kryesohet nga Fatmir Limaj nuk po pranohet as nga opozita, por as nga deputetët e Listës Serbe, të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se ekipi që udhëheq këtë proces duhet të legjitimohet nga Parlamenti, ashtu sikurse duhet të legjitimohet edhe platforma e negociatave me Serbinë, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, pavarësisht se kryesuesi i këtij delegacioni, i caktuar nga Qeveria, Fatmir Limaj, është shprehur i gatshëm që udhëheqjen t’ia kalojë opozitës, përfaqësuesit e këtyre të fundit janë shprehur kundër këtij ekipi.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se ky ekip nuk ka kurrfarë roli përderisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ulet dhe diskuton ende në tavolinë me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq.

Ndërkaq deputetët e PSD-së konsiderojnë se ekipi negociator nuk mund të caktohet nga ekzekutivi në asnjë mënyrë pa u ulur për të diskutuar rreth kësaj çështjeje fillimisht.

Selimi: Derisa Thaçi diskuton me Vuçiqin rreziku për Kosovën s’ka kaluar

Teksa ka folur për delegacionin e caktuar nga Qeveria, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka vlerësuar se ai delegacion nuk mund të bëjë asgjë përderisa në krye të delegacionit kosovar mbetet presidenti Hashim Thaçi.

“Sikur u votua në Qeveri, sikur u votua në Kuvend, sikur nuk u votua në asnjërën, ky delegacion që po quhet negociator nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa ka bërë delegacioni i Edita Tahirit. Thjesht, Edita Tahiri është zëvendësuar me Fatmir Limajn. Kaq. Përderisa Hashim Thaçi është në tavolinë me Vuçiqin, përderisa Hashim Thaçi bisedon me Vuçiqin nuk ka të tjerë negociatorë nga Kosova”, është shprehur ai për “Zërin”.

Prandaj, sipas tij, krejt kjo çfarë ka bërë Qeveria është një tendencë për t’ia shtuar kredibilitetin Thaçit dhe Vuçiqit. Ai shtoi se derisa presidenti Thaçi është në bisedime me Vuçiqin rreziku nuk ka kaluar për Kosovën.

Salihu: S’mund ta pranojmë ekipin pa u ulur për të diskutuar

Ndërkaq deputeti i PSD-së, Salih Salihu, ka thënë se ky subjekt nuk e pranon ekipin negociator të caktuar nga Qeveria pa u ulur fillimisht partitë për të diskutuar rreth kësaj.

“Pa u ulur bashkë për të biseduar për ekipin negociator nuk mundemi ta pranojmë një ekip negociator, të cilin e miraton Qeveria vetë dhe tash veç kërkon që të votohet. Mendoj që duhet të ketë një konsensus të të gjitha partive politike për ekipin, si dhe për platformën e dialogut”, ka deklaruar ai.

Megjithatë sipas Salihut, është Kuvendi ai që duhet të vendosë për çështjet siç është dialogu Kosovë - Serbi.

“Duhet patjetër Kuvendi të vendosë edhe për ekipin negociator, edhe për platformën e negociatave. Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës në Republikën e Kosovës dhe pa miratimin e saj kushdo që merr ndonjë vendim nuk mund të jetë i vlefshëm”, ka shtuar ai.

Pavarësisht këtyre, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili është caktuar kryesues i delegacionit për bisedime gjatë një interviste dhënë “Zërit” para pak ditësh i ka bërë thirrje opozitës që ta marrë timonin e këtij delegacioni.

“I kam bërë ftesë opozitës, u kam thënë ejani, ju udhëhiqeni edhe sot po u them ejani ju merreni detyrën, udhëhiqeni, unë kam për të ardhur pas jush nëse keni nevojë”, ka deklaruar Limaj, i cili është zotuar se do të punojë me opozitën në interes të përbashkët.

Beqaj: Të shkohet në zgjedhje me platformë të qartë rreth dialogut

Në anën tjetër politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se delegacioni i caktuar nga Qeveria nuk do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

“Në politikën kosovare ndodhin edhe veprime të paparashikuara. Nuk besoj se do të votohet ekipi negociator, ngase deklarimi i presidentit serb ishte absolutisht kundër Fatmir Limajt, por edhe sikur Lista Serbe ta votonte do të nënkuptohej si arsye negative e formimit të ekipit. Ndërsa opozita me të drejtë po kërkon që paraprakisht të votohet rezoluta për platformën e pastaj të caktohet ekipi dhe bartësi i negociatave”, është shprehur ai.

Beqaj më tej ka thënë se procesi i dialogut duhet të rishikohet në tërësi, ngase diçka që ka filluar mbrapsht nuk mund të përfundojë mbarë.

“Kjo nënkupton shkuarjen në zgjedhje të reja, të cilat nënkuptojnë reforma zgjedhore. Këto zgjedhje duhen zhvilluar, jo pse kanë ndryshuar rrethanat dhe pjesëmarrësit, por pse pengesa është shumë serioze dhe ajo tejkalohet vetëm nëse subjektet politike shkojnë në zgjedhje me platformë të qartë rreth dialogut, a janë për korrigjim të kufijve me Serbinë ose për zgjidhje brenda kufijve ekzistues të Kosovës”, ka nënvizuar Beqaj.

Krasniqi: Ekipi dhe platforma duhet të legjitimohen

Kurse Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për dialog në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se vendimi i Qeverisë për ekipin negociator nuk ka nevojë të dërgohet në Kuvend.

“Vendimi është i Qeverisë, nuk ka nevojë të dërgohet dhe të votohet në Kuvendin e Kosovës, përveç ligjeve që propozohen nga ministritë, nga dikasteret e ndryshme, të cilat pastaj patjetër duhet të votohen në Kuvend. Pra, një vendim si ky nuk ka nevojë të votohet në Kuvend”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë sipas Krasniqit, ekipi dhe platforma duhet të legjitimohen në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që edhe marrëveshja finale në mes të dyja vendeve që do të arrihet të kalojë në Parlamentin e Kosovës.

“Ne tani e kemi një vendim Qeverie, i cili flet për ekip të dialogut Kosovë - Serbi dhe kjo është e vërtetë që qoftë ekipi, qoftë platforma shtetërore duhet të legjitimohet në Kuvendin e Kosovës me anë të diskutimeve të cilat duhet të bëhen në Kuvend dhe me anë të rezolutës që duhet të kalojë e që pastaj marrëveshja e cila arrihet, nga ky ekip ose çfarëdo ekipi, duhet të vijë në Kuvendin e Kosovës për t’u ratifikuar”, ka theksuar ajo.

Rrjedhimisht, siç ajo është shprehur, Kuvendi e ka rolin qendror në procesin e dialogut, meqë në fund duhet t’ia japë vulën marrëveshjes përmbyllëse Kosovë - Serbi.

“Prandaj, edhe është kjo kërkesë nga ana e Qeverisë që të shkojë në Kuvendin e Kosovës dhe të ketë legjitimitet. Absolutisht është e nevojshme që të bëhet legjitimiteti i fazës finale të dialogut Kosovë - Serbi, që Kuvendi të diskutojë, të nxjerrë platformën, të arrihet konsensusi politik dhe së bashku të përcaktohen edhe vijat e kuqe”, ka potencuar ajo.