Operacioni i rrallë në QKUK, mjekët kosovarë shpëtojnë gruan shtatzënë

Aktuale September 12, 2018 - 22:16
Lexoni më shumë detaje

Një ndërhyrje e rrallë kirurgjikale ka ndodhur në Qendrën Klinikeve Universitare të Kosovës, respektivisht në Klinikën e Gjinekologjisë me Obstetrikë pranë SHSKUK-së në Prishtinë.

Një grua 39-vjeçare, V.B., nga Prizreni, kishte një patologji shumë të rrallë e cila në bazë të shënimeve mjekësore haset në raste të vogla dhe ekziston vetëm disa raportime për raste të tilla.

Kjo patologji e cila haset 1 në 7000 lindje, respektivisht 5 deri 7% të vendosjes abnormale të placentës, u operua me sukses nga mjekët e QKUK-së, shkruan Indeksonline

Ekipa e cila kreu operacionin e lindjes “Sectio Cesarea” ishte i përbërë nga gjinekologët, Dr. Naser Berisha dhe Dr. Naser Rafuna dhe urologët, Dr. Xhevdet Çuni dhe Ardian Prenaj.

Prizrenasja ishte e diagnostikuar me Dg. Gravi hbd 35+2, placertae praevia. Operacioni zgjati katër orë dhe sot në vizitë pacientja në fjalë ishte komunikative dhe paraprakisht ishte e njoftuar me të dhënat lidhur me sëmundjen e saj dhe se gjasat për mbijetesë të operacionit i kishte 50%.

“Kjo është një patologji shumë e rrallë e cila në bazë të shënimeve mjekësore haset në raste të vogla dhe ekzistojnë vetëm disa raportime për raste të tilla. Është komplikim i rrallë por shoqërohet me gjakderdhje të mëdha gjatë lindjes dhe pas saj që kërcënojnë jetën e shtatzënës dhe foshnjës”, shpjegohet ndër të tjera.

Sipas mjekëve të QKUK-së, rasti në fjalë kalojë shumë mirë dhe është lajm i mirë për qytetarët e Republikës se spitalet publike kanë kuadër të përgatitur dhe ofrojnë tretman edhe kur spitalet private heqin dorë për trajtimin e pacientëve të tillë.

Vlen të theksohet se edhe para 6 muajsh në QKUK është realizuar me shumë sukses një operacion i njëjtë në Klinikën në fjalë.