''Ndryshimi i kufijve vetëm në përputhje me të drejtën ndërkombëtare''

Aktuale September 12, 2018 - 20:43
Lexoni më shumë detaje

Bashkimi Evropian do të mbështesë çdo marrëveshje dypalëshe Kosovë-Serbi që do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, thotë i ngarkuari i BE-së për Kosovën, Igor Soltes.

Deutsche Welle: Takimi i presidentëve të Serbisë dhe të Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, në Bruksel synonte të çonte përpara negociatat e bllokuara mes dy vendeve, madje do të na prezantonte një zgjidhje.Por bisedimet dështuan dhe raportet Beograd Prishtinë janë ftohur sërish. Si ndodhi kështu?

Igor Soltes: Duhet të pyesni ata që nuk u takuan. Askush nuk mendonte se  pas shumë vitesh të kërkimit të një zgjidhjeje, kjo do të gjendej brenda natës, por pati shumë lajme inkurajuese nga të dyja palët. Ne këtë e kemi mbështetur gjithnjë. Por ka ende shanse, sepse bisedimet duhet të vazhdojnë – kjo është e rëndësishme për njerëzit në të dy vendet dhe për të gjithë rajonin.

Zgjidhja e sugjeruar ishte korrigjimii kufijve, pra, shkëmbimi territoresh. A e mbështesni këtë propozim?

Kjo ide është shumë e diskutueshme. Askush nuk dëshiron të miratojë ndryshime kufijsh mbi bazën e parimit të përkatësisë etnike. Prandaj ne kemi theksuar se të gjitha bisedimet që zhvillohen duhet të jenë në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Vetëm brenda kësaj kornize mund të flitet për ndryshimet kufitare.

A nuk do të ishte mirë nëse të dyja palët bien në ujdi?

Sigurisht, por kjo marrëveshje duhet të legjitimohet në mënyrë demokratike. Ajo duhet të mbështetet si nga parlamenti, ashtu edhe nga popullsia e të dy shteteve. Nëse përputhet me të drejtën ndërkombëtare, atëherë kjo është çështje e të dy shteteve. Megjithatë, për momentin nuk është me të vërtetë e qartë se në cilin drejtim duan të shkojnë Beogradi dhe Prishtina.

Kritikët e zhvendosjes së kufirit frikësohen nga një efekt domino në rajon - Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni, Mali i Zi.

Është e rëndësishme të shihet se situata  ndryshon nga vendi në vend dhe çdo problem është një problem më vete. Prandaj, ajo që është e vërtetë për një vend nuk mund të transferohet automatikisht në një vend tjetër. Nëse ka dy palë që pajtohen, në përputhje me institucionet ndërkombëtare, është diçka tjetër nga rasti kur vetëm njëra palë dëshiron. Prandaj këto duhen parë veç e veç.

A mund të shërbejë marrëveshja që bënë Greqia dhe Maqedonia për çështjen emrit si shembull për ujdinë Serbi-Kosovë?

Po, ky është modeli. Kjo grindje kishte bllokuar Maqedoninë gjatë rrugës për në BE dhe tani me sa duket u zgjidh. Ky është një mesazh shumë pozitiv. Ku ka vullnet, ka edhe rrugëdalje. Dhe BE e mbështet këtë. Aty ku mungon vullneti, BE nuk ka ç'të bëjë. Ne mund të ofrojmë ndihmë në gjetjen e një zgjidhjeje, ne mund të japim hapësirë për dialog, por rrugën duhet të duan të përshkojnë vetë të dyja palët.

A mund të vazhdojë Serbia rrugën e integrimit evropian pa e njohur Kosovën?

Qëndrimi i Komisionit është i qartë: Normalizimi i marrëdhëineve me Kosovën është një nga kriteret më të rëndësishme. Ky është një fakt që të gjithë e dinë. BE nuk dëshiron ta imponojë zgjidhjen, por dëshiron që të dy palët të gjejnë një zgjidhje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Tekefundit, janë qytetarët e këtyre vendeve ata që do të duhet të jetojnë me këto zgjidhje. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina ta dinë se ku duan të shkojnë. Kjo është e rëndësishme edhe për ekonominë, sepse nëse njerëzit nuk shohin ndonjë perspektivë për veten dhe vendin e tyre, atëherë ata do të vazhdojnë të emigrojnë në masë të madhe.