Thaçi tregon se cilat janë përfitimet nga marrëveshja Kosovë-Serbi

Aktuale September 12, 2018 - 18:04
Lexoni më shumë detaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjatë ditës së sotme ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Maqedoni, është takuar me përfaqësuesit politikë, raporton “Zeri.info”.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Thaçi ka bërë të ditur se me përfaqësuesit politikë ka biseduar edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili ka thënë se ka marrë mbështetjen e Maqedonisë për këtë proces.

Sipas Thaçit, çdo marrëveshje e arritur në Bruksel në Mes të Kosovës dhe Serbisë është edhe në interes të gjithë vendeve të rajonit, përcjell “Zeri.info”.

Ai po ashtu u bëri thirrje liderëve politikë shqiptarë që të votojnë pro referendumit.

Sipas presidentit Thaçi, e ardhmja e Kosovës dhe Maqedonisë është por edhe tërë rajonit tonë është në NATO dhe Bashkim Evropian. /ZËRI/

Postimi i plotë i Thaçit pa ndërhyrje:

I tërë Ballkani Perëndimor i ka shtuar përpjekjet për forcimin e paqes, stabilitetit dhe perspektives euroatlantike. Edhe sot në takime me liderët institucionalë e politikë në Maqedoni biseduam për të ardhmen e përbashkët evropiane.

Kosova dhe Maqedonia po bëjnë hapa të rëndësishëm të bashkëpunimit në interes të vendeve dhe popujve tanë. Autostrada Prishtinë – Shkup është duke shkuar drejt përfundimit në pjesën e Kosovës, kurse së shpejti pritet të nisin punimet edhe prej kufirit në drejtim të Shkupit.

Si liderë institucionalë dhe politikë, e kemi për obligim që të punojmë më shumë për vendin, se për momentumet populiste apo elektorale, prandaj lidershipin në Maqedoni e inkurajova për vendimin e drejtë për marrëveshjen me Greqinë.

Prej tyre mora përkrahje edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe i sigurova se çdo marrëveshje që arrijmë në Bruksel do të jetë në interes të vendeve tona dhe tërë rajonit.

Në emër të Republikës së Kosovës, si një vend fqinjë me Maqedoninë, i ftova të gjithë qytetarët e Maqedonisë që të votojnë pro referendumit dhe të kontribuojnë për të ardhmen evropiane.

E ardhmja e Kosovës, e Maqedonisë dhe tërë rajonit tonë është në NATO dhe Bashkim Evropian. 

Image

Image

Image