Opozita në kërkim të rrugës për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale September 12, 2018 - 07:56
Lexo detajet
Image

Subjektet opozitare në vazhdimësi po deklarohen se janë duke punuar për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Por edhe pse koalicioni qeverisës tash e një kohë nuk e ka shumicën në Kuvend, as partitë opozitare nuk e kanë fuqinë e nevojshme për rrëzimin e kësaj Qeverie. Megjithatë opozitarët thonë se janë duke punuar në këtë drejtim, shkruan sot Gazeta 'Zëri". 

Tri subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, në vazhdimësi po deklarohen se janë duke punuar për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”.

Por që të tria janë të pafuqishme në këtë mision, pasi së bashku kanë 58 vota në Kuvend, ndërkohë që për rrëzimin e Qeverisë përmes mocionit në Kuvend duhen së paku 61 vota.

LEXO EDHE: Inkurajohet Parlamenti Evropian t’ia heqë vizat Kosovës

Sido që të jetë, opozitarët thonë se nuk do të ndalen së kërkuari rrugën për rrëzimin e kësaj Qeverie, madje thonë se do ta intensifikojnë bashkëpunimin për arritjen e këtij qëllimi.

Për çështje të caktuara opozita ka pasur mbështetjen e partnerit të vogël të koalicionit, të Nismës Socialdemokrate, megjithatë kjo parti nuk e ka ndërmend të dalë kundër qeverisë “Haradinaj”, pavarësisht se ka pasur raste kur ka dalë në “krah” të opozitës. Deputetja e Nismës, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se brenda Nismës nuk ka vota për rrëzimin e Qeverisë, pjesë e së cilës është edhe kjo parti politike.

Haziri: Unifikimi i opozitës, primar për rrëzimin e Qeverisë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë për gazetën “Zëri” se ky subjekt vazhdimisht është duke punuar në mënyrë që të unifikohet opozita për rrëzimin e Qeverisë. Haziri ka folur edhe për deklaratën e kryetarit të LDK-së Isa Mustafës, se kjo parti do të bashkëpunojë me Vetëvendosjen për rrëzimin e Qeverisë.

“Atë që e ka thënë kryetari nuk dua ta komentoj. Deklarimi i tij ka qenë që do të bashkëpunojmë me gjithë opozitën,  duke e përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, për ta përmbushur qëllimin tonë”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, opozita është duke punuar në këtë drejtim që nga themelimi i qeverisë “Haradinaj”.

“Ajo çka mund të them është se ne jemi në drejtim të arritjes së një pakti dhe jemi duke punuar vazhdimisht me gjithë opozitën e vendit. Që nga dita që është themeluar ky koalicion ne jemi duke punuar në drejtim të rrëzimit të kësaj Qeverie”, ka thënë Haziri.

Vetëvendosja: Jemi duke punuar për rrëzimin e Qeverisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Drita Millaku, në një prononcim dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë që në ditët në vijim do të dalin me qëndrime konkrete për rrëzimin e Qeverisë.

"E gjithë opozita e vendit është duke punuar në këtë drejtim, jemi duke u dakorduar për hapat e mëtutjeshëm. Shumë shpejt do të dalim me qëndrime të përbashkëta”, ka thënë ajo.

Millaku ka thënë se edhe protestat nuk përjashtohen si mënyrë që opozita t’i shprehë pakënaqësitë e saj ndaj qeverisë “Haradinaj”. Varësisht prej vendimeve të përbashkëta që dalin edhe protestat nuk përjashtohen, por për të gjitha hapat do të publikojmë në ditët në vazhdim. E rëndësishme është që opozitarizimi do të jetë unikë në qëndrime dhe në veprime”, ka thënë Millaku.

Cakolli: Nisma, shpesa e vetme për opozitën

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), i ka thënë gazetës “Zëri” që bashkimi i opozitës për rrëzimin e Qeverisë është një praktikë e cila vazhdimisht e ka shoqëruar skenën politike kosovare.

“Bashkimi i partive opozitare si formë e kundërshtimit të qeverive nuk është praktikë e re në skenën politike kosovare. Madje mund të thuhet se pothuajse gjatë secilës legjislaturë që nga paslufta ka pasur bashkim të partive opozitare me synimin kryesor të rrëzimit të Qeverisë. Ky bashkëpunim i tanishëm, edhe pse nuk është konkretizuar ende, ka mundësi reale për të dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Cakolli.

Sipas Cakollit problem mbetet sigurimi i 61 votave dhe zgjidhjen e këtij problemi mund ta gjejnë te Nisma Socialdemokrate.

“Problem mbetet sigurimi i 61 votave për rrëzimin e Qeverisë, sepse opozita aktualisht ka 57 deputetë. Kësaj i shtohet edhe fakti se deputetja e LDK-së Teuta Rugova deri më tani i ka dalë në ndihmë Qeverisë sa herë që vota e saj është kërkuar. Momentalisht, Nisma Socialdemokrate është subjekti i vetëm në pozitë, i cili jorrallëherë ka shfaqur kundërshti me vendimet e marra nga ekzekutivi, andaj potencialisht mund të shihet si një nga subjektet që mund t'ua sigurojë partive opozitare votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë”, ka theksuar ai.