Hahn vjen në Kosovë, zbulohet arsyeja e vizitës së tij

Aktuale September 11, 2018 - 14:30
Lexoni më shumë detaje

Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn do ta vizitoj Kosovën në nëntor të këtij viti për të lansuar pjesën e dytë të projektit të Agjendës së Reformave Evropiane (ERA) raporton “Zeri.info”.

Këtë gjë e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.

I pari i Qeverisë duke e theksuar rëndësinë e reformave evropiane, tha se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të mbesin të fokusuar në këtë pjesë.

“Tani e mbyllim agjendën e ERA-së, e paraparë që të përmbyllen në këtë periudhë, pastaj e fillojmë në nëntor, në nëntor vjen komisioneri Johanes Hahn që ta lansojë ERA-n II, ne duhet që të i sigurojmë partnerët ndërkombëtar që Kosova nuk e ka humbur vëmendjen, përkundër faktit që po ndodhin këto debate. Kosova mbetet e fokusuar në punët e veta të shtëpisë”, tha ai.

Haradinaj mes tjerash tha që çështja e liberalizimit të vizave mbetet fokus kryesor i Qeverisë së Kosovës.

“E kemi shumë me rëndësi liberalizimin e vizave dhe ju kisha lutur të gjithë të mos e humbim fokusimin sepse janë bërë shumë debate, debati i korrigjimit, duhet ta ruajmë fokusimin. Nuk është liberalizimi i vizave veç liri e lëvizjes por është status për shtetasit e një shteti, nëse ti ka pranuar qytetarët me të drejtat e barabarta, atëherë të ka pranuar edhe ty si vend, në një perspektiv evropiane, ta ka pranuar ekonominë dhe vlerat si shtet”, tha ai.

Ndërkohë në këtë mbledhje të Qeverisë u miratuan disa vendime, e ndër to u votua edhe pro Raportit të Punës njëvjeçare për periudhën shtator 2017-shtator 2018./ZERI