Daçiq: Thaçi nuk do ta vizitojë Preshevën, është ''fake news''

Aktuale September 11, 2018 - 11:12
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka folur rreth vizitës së mundshme të presidentit Hashim Thaçi në Luginën e Preshevës. Daçiq këtë e ka quajtur lajm të rrejshëm.

“Thaçi me siguri nuk do ta vizitojë Preshevën, ky është lajm i rrejshëm”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe.

Sipas tij, ky lajm është përhapur për të larguar vëmendjen nga vizita e "suksesshme" e Aleksandër Vuçiqit në Kosovë.

“Është një lajm i rrejshëm që u publikua për ta larguar vëmendjen nga vizita e suksesshme e Vuçiqit në Kosovë”, ka thënë sot Daçiq për TV Pink, transmeton Gazeta Express.

Kujtojmë se vizita e Vuçiqit në Kosovë u përcoll me një varg reagimesh e tensionesh. Në fillim atij nuk iu lejua që ta vizitonte Liqenin e Ujmanit, por më pas ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i kishte lejuar ta vizitojë edhe atë pikë pas presionit të Bashkimit Evropian.

Vuçiq nuk u lejua të shkojë për vizitë në fshatin Banjë të Skenderajt, ku qindra qytetarë ishin organizuar duke e bllokuar rrugën që dërgonte për në atë lokacion.

Vuçiq ishte detyruar të kthehej mbrapa, pa shkelur aty ku regjimi i mësuesit të tij Sllobodan Millosheviq kishte kryer krime makabre.

Ndërkohë kujtojmë që gjatë fjalimit tek Ujmani, Vuçiq kishte bërë edhe një deklaratë skandaloze, duke e lavdëruar Sllobodan Millosheviqin.

Një gjë e tillë kishte nxitur reagime të mëdha në vend.